Friday, March 29, 2024

Të Burgosurit Politik Iranian, i Cili Është i Sëmurë Rëndë, i Mohohet Kujdesi Urgjent Mjekësor

Mbrojtësi i të drejtave njerëzore Arash Sadeghi është i sëmurë në gjendje kritike në një burg iranian. 38-vjeçari ka një formë të rrallë të kancerit të kockave dhe është operuar pak më shumë se një muaj më parë.

Doktori i tij ka këshilluar një protokoll shumë të rreptë në mënyrë që Z. Sadeghi të merrte kujdesin dhe trajtimin e duhur. Mjeku ka thënë se pacienti duhet të qëndrojë në spital për të paktën 25 ditë pas operacionit për shkak të rrezikut të lartë të infeksionit apo të komplikacioneve të tjera që mund të vijnë pas operacionit.

Megjithatë, trajtimi që Z. Sadeghi mori pas operacionit ishte çnjerëzor. Në vend që të monitorohej në spital për më shumë se tre javë sipas rekomandimit të mjekut, ai u rikthye në burg nga autoritetet pasi kishin kaluar vetëm tre ditë.

Për më tepër, sapo mbaroi operacioni, autoritetet nuk e lejuan të qëndronte në dhomën e shërimit sipas protokollit, dhe i vunë prangat e zinxhirët. Agjentët e regjimit nuk i lejuan doktorët që t’i afroheshin Z. Sadeghi, dhe si pasojë ata nuk mundën të kryenin si duhet ekzaminimet e shpeshta që i duheshin pacientit pas operacionit. 
Është raportuar gjithashtu se agjentët e sigurisë e lejonin të shkonte në banjë vetëm tre herë në ditë dhe duhej të shoqërohej sa herë që shkonte.

Tashmë është bërë e ditur se autoritetet e burgut vazhdojnë ta vënë në rrezik shërimin e tij nga operacioni. Një takim me mjekun iu shty për dy javë dhe ndërkohë, ai mori një infeksion.

Gjithnjë e më shumë të burgosur në Iran, sidomos të burgosur politikë, po ngrenë zërin për kushtet me të cilat përballen. Shumë prej tyre marrin pjesë edhe në greva urie. Ata nuk mund të marrin pjesë në protestat që po zhvillohen çdo ditë në mbarë vendin, por po kontribuojnë në çfarëdo mënyre që munden prapa hekurave.