Në shkurt, ambientalisti i shquar Profesor Kavous Seyed Emami vdiq në burg, vetëm pak javë pasi ai dhe shtatë kolegë të tij nga Fondacioni i Trashëgimisë së Faunës Perse, një bamirësi që punon për të mbrojtur speciet e rrezikuara në Iran, ishin arrestuar nga Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC).
Autoritetet iraniane kanë deklaruar se shtetasi iraniano-kanadez kishte kryer vetëvrasje, por shumë njerëz e kanë të vështirë ta besojnë këtë, sidomos duke patur parasysh zakonin që Regjimi ka për t’i torturuar të burgosurit deri në vdekje.
Tetë muaj më vonë, shtatë kolegët e tij dhe një tjetë aktivist mjedisor i arrestuar në mars, mbeten të burgosur pa gjyq, me akuzat kundër tyre të paqartësuara, dhe pa akses në një avokat të zgjedhur prej tyre. Regjimi Iranian nuk ka kryer ende një hetim të duhur mbi vdekjen e Seyed Emami-t, por ia ka ndaluar gruas së tij Maryam – gjithashtu shtetase iraniano-kanadeze – që të largohet nga vendi.
E gjitha kjo po ndodh ndërkohë që ndryshimet klimatike po sjellin shkatërrim në Lindjen e Mesme dhe Regjimi Iranian nuk bën asgjë për ta ndihmuar popullin e tij të përballet me këto efekte. Përkundrazi, regjimi burgos të vetmit njerëz që mund të ndihmojnë për t’i parashikuar këto ngjarje dhe për t’u mbrojtur ndaj tyre, duke gënjyer rreth motiveve të tyre dhe duke i akuzuar se spiunojnë për Perëndimin. Gjë për të cilën nuk ka gjetur prova as një hetim i bërë nga parlamenti i Regjimit.
Regjimi ka arrestuar madje edhe zëvendës kryetarin e Departamentit të Mjedisit, Kaveh Madani, i cili ishte kthyer nga Mbretëria e Bashkuar për të dhënë ndihmën e tij ndaj problemeve të vendit me ujin. Ai u lirua, por u arratis shpejt nga vendi që t’i shmangej një arrestimi të dytë.
Kjo shtypje po i shqetëson të gjitha grupet e tjera mjedisore në vend, të cilat kanë frikë se do t’u vijë radha edhe atyre.