Stokholm, Rezistenca Iraniane: Konferencë në Vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Grave

432

Maryam Rajavi: E deklarojmë Ditën Ndërkombëtare të Gruas – 2020 si dita e Grave të Martirizuara në Kryengritjen e Iranit në nëntor 2019

Iranianët mbështetës të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK) dhe të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), në Stokholm të Suedisë organizuan një grumbullim me rastin e afrimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Në këtë event në Stokholm morën pjesë figura politike dhe aktivistë të të drejtave të grave nga Suedia e nga vende të tjera, duke përfshirë Znj. Ingrid Betancourt, ish-kandidate presidenciale në Kolumbi. E pranishme ishte edhe Znj. Sarvnaz Chitsaz, kryetare e Komitetit të Grave të NCRI-së.  

Znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e NCRI-së, foli në këtë konferencë përmes një video-mesazhi, ku e deklaroi Ditën Ndërkombëtare të Grave të këtij viti si “Dita e grave të martirizuara në kryengritjen e Iranit në nëntor 2019.” 

  

“Në emër të popullit dhe Rezistencës iraniane, si dhe në emër të motrave të mia të martirizuara e të burgosura, e deklaroj Ditën Ndërkombëtare të Gruas të vitit 2020 si Dita e Grave të Martirizuara në Kryengritjen e Iranit në Nëntor 2019,” tha Znj. Rajavi.  

Duke iu referuar rolit të grave gjatë katër dekadave të luftës për liri në Iran, veçanërisht anëtareve femra të MEK, Znj. Rajavi tha: “Që nga vitet 1980, mijëra gra nismëtare, shumica nga PMOI, kanë vdekur në luftën kundër regjimit klerikal. Ashraf Rajavi e udhëhoqi këtë luftë. Gjatë kohëve të vështira në Ashraf të Irakut, gratë e PMOI-së si Zohreh Gha’emi, Giti Givehchian, Saba Haft-Baradaran, dhe Assiyeh Rakhshani ofruan jetën e tyre për ta mbajtur lart flamurin e lirisë së Iranit.  Dhe sot, në radhët e Njësive të Rezistencës e në frontin e kryengritjeve, gratë e guximshme të Iranit po e komandojnë luftën për ta përmbysur tiraninë misogjiniste të Iranit. Nuk ka dëshmi më të mirë e më të qartë se kjo ndjenjë kaq e thellë përgjegjësie dhe impakti për të konfirmuar cilësitë dhe aftësitë e grave iraniane.” 

“Zyrtarët e regjimit, komandantët e Korpusit mizor të Gardës Revolucionare të Khamenei-t, dhe mediat shtetërore flasin vazhdimisht për rolin udhëheqës të grave të reja në kryengritje. Ata e kanë pohuar se këto gra ishin udhëheqëse të tubimeve e protestave në nëntor 2019 dhe janar 2020. Po, është e vërtetë. Por e vërteta më e rëndësishme është se këto gra të cilat janë në avangardë të betejës për ndryshim regjimi, do ta rrëzojnë më në fund fashizmin fetar. Duke u mbështetur në përpjekjet vetëmohuese të nismëtarëve të tij, populli iranian po ndjek një plan për ta çliruar Iranin. Ky plan mund të përmblidhet në katër fjalë: Liri, demokraci, barazi, dhe emancipim,” shtoi Znj. Rajavi. 

“Gratë duhet të gëzojnë veçanërisht të drejtën për pjesëmarrje të barabartë në udhëheqjen politike të vendit. Vendosmëria e paepur e popullit, Rezistencës dhe grave iraniane do t’i kthejë këto perspektiva në realitet,” deklaroi Znj. Rajavi.  

Duke iu referuar situatës aktuale të regjimit iranian, përmbysjes së tij të pashmangshme dhe krizave si futja në listën e zezë nga Task Forca e Veprimit Financiar (FATF), dështimi i zgjedhjeve false parlamentare dhe protestat e vazhdueshme në Iran, Irak e vende të tjera kundër regjimit; si dhe roli i grave në këtë aspekt, Znj. Rajavi tha: “Regjimi i mullahëve është i përmbytur nga protestat shoqërore gjithnjë në rritje. Populli iranian e refuzoi Khamenei-n përmes përgjigjes kumbuese JO ndaj farsës më skandaloze të zgjedhjeve të mullahëve. Dhe përfshirja e regjimit në listën e zezë të FATF-së po ua merr frymën mullahëve nga ana financiare. Në Irak, të cilin Khamenei e ka deklaruar si thellësia strategjike e regjimit, ka shpërthyer një kryengritje e madhe kundër sunduesve kukulla të Iranit. Gratë trime të Irakut po luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në këto protesta.” 

Duke iu referuar shpërthimit të koronavirusit në Iran me mbi 500 viktima, siç raportohet nga MEK, dhe pasivitetit të regjimit në menaxhimin e kësaj krize, Znj. Rajavi tha: “Nën sundimin e mullahëve, çdo fatkeqësi natyrore dhe çdo problem i parandalueshëm nga Koronavirusi (COVID-19) e deri tek përmbytjet dhe tërmetet, shndërrohet në një katastrofë të madhe. Populli i Iranit dhe sidomos gratë janë viktimat e para të ligësisë së mullahëve.”

“U bëj thirrje të gjithë mjekëve, infermierëve dhe stafeve të spitaleve që t’i publikojnë informacionet e tyre sa më shpejt në mënyrë që të shpëtohen jetët e popullit iranian dhe të mos lejohet mbulimi i së vërtetës nga regjimi. I bëj thirrje veçanërisht Organizatës Botërore të Shëndetit që t’i dokumentojë të gjitha faktet dhe shifrat lidhur me përhapjen e Koronavirusit në Iran dhe t’i vërë ato në dispozicion të publikut dhe të organizatave përkatëse ndërkombëtare për të shpëtuar jetët e popullit të Iranit e të vendeve të tjera,” shtoi Znj. Rajavi.  

Pjesëmarrësit në konferencë bënë gjithashtu homazhe për martirët e protestave mbarëkombëtare të Iranit, veçanërisht martiret femra, duke i mbajtur fotot e tyre pranë luleve të kuqe.