Suzy Kassem, shkrimtarja, poetja dhe filozofja amerikane, në librin e saj “Ngrihu dhe Përshëndet Diellin” thotë: “Fitimi nuk duhet të ketë kurrë koston e gjakut njerëzor. Çdo qeveri që vendos fitimin përmbi popullin është plotësisht e ligë.”
Ajo ka të drejtë dhe fatkeqësisht vendet europiane, duke vazhduar me paqësimin ndaj teokracisë klerikale që sundon Iranin dhe duke i shpërfillur krimet e saj e shkeljet e të Drejtave të Njeriut, po kryejnë ligësi. Më poshtë vijon një artikull nga Struan Stevenson, koordinatori i Fushatës për Ndryshimin e Iranit.
22 maj (UPI) – Ndërsa Amerika ia shtrëngon në mënyrë të paepur rripat Iranit, diktatura teokratike vazhdon të vërsulet në mënyra të parashikueshme.
Ajo ka mobilizuar agjentët e Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë për të ndjekur dhe eliminuar kundërshtarët e regjimit. Duke u hequr si diplomatë, këta spiunë e vrasës iranianë kanë organizuar një seri sulmesh në Europë e në Amerikën e Veriut.
Në vijim, në Shtetet e Bashkuara, Danimarkë, Bullgari, Hollandë dhe Shqipëri janë marrë masa të ngjashme kundër komploteve terroriste iraniane.
Nga fundi i dhjetorit, Kryeministri shqiptar Edi Rama përjashtoi ambasadorin e Iranit dhe sekretarin e parë të tij me argumentin se ata përbënin një rrezik sigurie për Shqipërinë, pasi kishte zbuluar një tjetër komplot me bombë ndaj kundërshtarëve të regjimit.
Në Amerikë, disa agjentë të MOIS janë arrestuar dhe akuzuar për kryerjen e operacioneve të survejimit në përgatitje për tentativa vrasjeje kundër zyrtarëve të spikatur në Mojahedin e-Khalq (MEK/PMOI), e cila është lëvizja kryesore demokratike e opozitës iraniane. Është e qartë që Irani i përdor ambasadat e tij si fabrika bombash dhe qeliza terroriste, për të organizuar komplote mizore. Mullahët kanë agjentë të MOIS të instaluar në çdo ambasadë europiane.
Meqë kanë dështuar në përpjekjet për të sulmuar me bombë e për të vrarë kundërshtarët e tyre në Europë e Amerikë, mullahët e kanë kthyer tani vëmendjen në Lindjen e Mesme.
Teokracia në pushtet i përdor proksit e saj për të kryer sulme me dronë të armatosur mbi stacionet saudite të pompimit të naftës, dhe zyrtarët iranianë mburren plot qejf se janë të aftë ta kthejnë përmbys ekonominë globale duke sulmuar kapacitetet e eksportimit të naftës të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat regjimi i përshkruan si “magazinierët e naftës.”
Më pas, tiranët me turban në kokë i kanë udhëzuar aleatët e tyre Houthi që të lëshojnë dy raketa balistike drejt Mekës dhe Jeddah. Të dyja këto raketa u parandaluan dhe u shkatërruan nga forca ajrore e Arabisë Saudite.
Ky ishte një reagim i parashikueshëm ndaj faktit që Departamenti amerikan i Shtetit e ka shtuar rishtazi IRGC-në, versionin iranian të Gestapos, në listën e Organizatave të Huaja Terroriste. Në një tjetër përpjekje për t’i rritur më tej tensionet në Lindjen e Mesme, Presidenti iranian Hassan Rouhani deklaroi se vendi i tij nuk do t’i zbatonte më dy prej detyrimeve të tij nën marrëveshjen bërthamore me Iranin, e cila njihet si Plani i Përbashkët i Veprimit. Deklarata e Rouhani-t erdhi plot një vit nga e nesërmja e ditës kur Presidenti amerikan Donald Trump shpalli se Amerika do të tërhiqej nga kjo marrëveshje e dështuar.
Duke iu përgjigjur këtyre kërcënimeve, Shtetet e Bashkuara dërguan një grup me aeroplanmbajtëse dhe bombardues në Gjirin Persik. Trump, pasi kishte këmbëngulur se nuk po kërkonte luftë me Iranin, gjithsesi në fundjavë postoi në Twitter, “Nëse Irani dëshiron të luftojë, do të jetë fundi zyrtar për Iranin. Mos i kërcënoni më kurrë Shtetet e Bashkuara!”
Diplomacia e armatosur e Amerikës ka nxitur përgjigjen refleksive që pritej nga Bashkimi Europian. Krye-paqësues të Republikës Islamike që kanë qortuar tërheqjen e Trump nga pakti bërthamor me Iranin dhe kanë kërkuar më kot mënyra për ta vazhduar tregtinë me regjimin terrorist, BE ka nisur tani një kundërpërgjigje diplomatike ndaj Amerikës, duke dënuar shfaqjen e forcës nga ana e Trump dhe duke bërë thirrje për kujdes. Duke vepruar kështu, ata kanë bërë pikërisht çfarë duan mullahët, të cilëve po u pakësohen me shpejtësi mundësitë dhe po kërkojnë dëshpërimisht aleatë në mënyrë që ta mbajnë gjallë regjimin e tyre që ndodhet në fije të perit. Armët, bombat, raketat, terrori dhe frikësimi me sa duket nuk i bezdisin liderët e Europës, të cilët, ashtu si majmunët e urtë të legjendave, nuk shohin ligësi, nuk dëgjojnë ligësi dhe nuk flasin ligësi.
Struan Stevenson është koordinatori i Fushatës për Ndryshimin e Iranit.