14 qershori shënon fillimin e Kupës Botërore 2018 në Rusi. Meqë futbolli është sporti më popullor në Iran, media iraniane ka diskutuar impaktin që ka patur mbi futbollin tërheqja e SHBA nga marrëveshja bërthamore.
Dy javë më parë, kompania amerikane, Nike, refuzoi të shiste këpucë për skuadrën kombëtare iraniane të futbollit për shkak të sanksioneve amerikane, pavarësisht marrëveshjes së mëpërparshme për ta bërë këtë gjë. Gjithashtu, shumë kompani ndërkombëtare po tregohen të matura kur vjen puna për të sponsorizuar skuadrën kombëtare të Iranit.
Gratë iraniane ndalohen të hyjnë në stadiume për të parë ndeshjet, pasi kjo gjë konsiderohet si kundër Islamit. Diskriminimi gjinor është kundër rregullave të FIFA, dhe është një nga arsyet pse Irani nuk lejohet të organizojë kampionate ndërkombëtare të futbollit. Kur skuadrat iraniane mirëpresin skuadra futbolli të huaja si pjesë e ndeshjeve kualifikuese aziatike, Republika Islamike përpiqet të plotësojë kriteret duke lejuar një grup të vogël fansesh të huaja femra të shohin ndeshjen — duke i ulur në një pjesë të ndarë të stadiumit.
Televizionet shtetërore iraniane transmetojnë shumë rrallë ndeshje futbolli dhe futsal të femrave, duke ua hequr skuadrave një burim të rëndësishëm të ardhurash. Sponsorët nuk kanë shumë motivim për të mbështetur skuadrat e femrave kur ato transmetohen kaq rrallë në TV.
Pastaj është problemi i Izraelit. Republika Islamike e Iranit nuk e njeh shtetin e Izraelit. Futbollistët iranianë nuk lejohen të luajnë kundër skuadrave izraelite. Futbollistët iranianë që luajnë në klube eurpiane përballen me një situatë të ndërlikuar nëse skuadrat e tyre luajnë kundër klubeve izraelite, pasi nëse futbollistët iranianë nuk luajnë, ata përballen me sanksione të rënda nga FIFA. Nëse luajnë, mund të përballen me ndëshkime nga autoritetet iraniane.