Shumë iranianë po përgatiten tashmë për festimet e Vitit të Ri. Noëruz, Viti i Ri iranian, festohet më 21 mars dhe është tradicionalisht një kohë kur familjarët dhe miqtë kremtojnë së bashku ditën e parë të kalendarit iranian.
Është zakon që të fillojnë përgatitjet në javët para Noëruz-it, kohë kur njerëzit bëjnë gati e i zbukurojnë shtëpitë, si dhe blejnë lule e rroba të reja. Qofshin këto mbledhje familjare të gjata apo të shkurtra, të mëdha apo të vogla, miqve gostiten gjithmonë me plot gjëra, si çaji dhe ëmbëlsirat me arra e meze të tjera.
Por ky vit do të jetë krejt ndryshe për shumë iranianë për shkak të klimës ekonomike. Kostot e jetesës po rriten ndërkohë që rrogat mbeten të njëjta, gjë që do të thotë se shumë familje e kanë të pamundur të përballojnë blerjet e zakonshme me rastin e Noëruz-it.
Për shembull, një iranian i rëndomtë i klasës punëtore fiton $100 deri në $200 në muaj. Fëstëku po shitet nga $12 në $15 për kile, duke bërë që shumica të mos e përballojnë dot. Mendohet se çmimi i tij është rritur më shumë se dyfish krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e shkuar.
Që nga fillimi i vitit të shkuar, monedha iraniane ka rënë në mënyrë dramatike. Një nga arsyet kryesore për këtë qe dalja vitin e shkuar e Shteteve të Bashkuara nga pakti bërthamor me Iranin në 2015-ën, gjë që çoi në rivënien e sanksioneve paralizuese ekonomike.
Çmimet janë rritur me shpejtësi dhe produktet më bazë janë bërë tashmë të papërballueshme për një pjesë të madhe të popullsisë. Mishi po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë dhe shumë njerëzve u është dashur ta heqin nga menyja.
Irani paguan në dollarë për importet dhe tani – për shkak të kushteve ekonomike – shumë tregtarë zgjedhin t’i eksportojnë produktet e tyre jashtë vendit pasi kanë më shumë avantazhe ekonomike kur shesin me çmime më të larta jashtë vendit. Për më tepër, vendasit nuk mund t’i përballojnë çmimet.
Raportet nga brenda vendit tregojnë se nuk janë vetëm më të varfërit ata që nuk mund të përballojnë produkte si arrat dhe mishi – kjo gjë po ndikon gjithnjë e më shumë edhe te klasa e mesme.