Irani ka ekzekutuar mbi 13 të burgosur në burgje të ndryshme që nga fillimi i marsit, gjatë javëve para Vitit të Ri Iranian.
Më 14 mars, Jalaluddin Mosala Nezhad u var publikisht në Jahrom, sipas agjensisë shtetërore të lajmeve Tasnim.
Më 13 mars, agjensia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi se tre burra ishin ekzekutuar në provincën e Khorasanit Jugor për vrasjen e dy agjentëve të armatosur të regjimit, por nuk i raportoi emrat e viktimave, vendin e ekzekutimit, dhe as datën e saktë të vdekjes së tyre.
Më 12 mars, një i burgosur në Burgun Qendror të Zahedanit u ekzekutua për një krim të panjohur. Ai ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve, si dhe raportohet se ka qenë më parë anëtar i ekipit kombëtar iranian të kikboksit. Një person tjetër, 42-vjeçari Eslam Farsi, u var në Burgun Qendror të Tabrizit.
Më 11 mars, at e bir – Shir Mohammad Naroui dhe Younes Naroui – u ekzekutuan për akuza droge në Burgun Birjand.
Të gjitha këto janë kryer që kur Ebrahim Raisi, i cili ka qenë i përfshirë në masakrën e të burgosurve politikë në 1988-ën, u emërua si kreu i drejtësisë nga lideri suprem Ali Khamenei.
Gjatë përurimit të tij, Raisi tha se masakra, ekzekutimi, dhe shtypja e kanë ruajtur regjimin gjatë 40 viteve të shkuara, se siguria e Regjimit ka përparësi ndaj drejtësisë, dhe se do ta konsiderojë deklaratën e “fazës së dytë” të Khamenei-t si angazhim të tij.
E gjithë kjo ka ardhur vetëm pak ditë pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Gutierrez dhe Raportuesi Special mbi situatën e të drejtave të njeriut në Iran, Javaid Rehman, shprehën shqetësime lidhur me përdorimin e dënimit me vdekje në Iran, veçanërisht për varjet në publik dhe ekzekutimet e minorenëve.
Rehman tha në seancën e 40-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë se është gjithashtu i shqetësuar për shtypjen e lirive individuale në Iran, duke vënë në dukje se Regjimi ka burgosur shumë njerëz për protestim, gjë që rezulton në “praktika shqetësuese frikësimi, arrestimi, persekutimi dhe keqtrajtimi të mbrojtësve të të drejtave të njeriut, avokatëve dhe aktivistëve të të drejtave të punëtorëve”. Ai i bëri thirrje Regjimit që t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte ata që janë arrestuar për protestim paqësor.
Rehman tha: “Shumë iranianë e kanë shprehur shqetësimin e tyre përmes protestave, demonstratave dhe grevave. Njerëz nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë – nga shoferët e kamionëve tek mësuesit e punëtorët e fabrikave – në mbarë vendin kanë protestuar. Në këtë kontekst sfidash në rritje, po shtohen shqetësimet për të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat për grumbullim paqësor dhe shoqërim në Iran.”
Në mënyrë që të bëjë vërtet diçka për të ndalur abuzimet me të drejtat njerëzore në Iran, bota duhet të marrë qëndrim e t’i japë fund politikave të paqësimit ndaj Iranit. Nëse u jepet imunitet për krimet e tyre, mullahët do t’i përsërisin ato.