Shtetet e Bashkuara Vazhdojnë ta Shtojnë Presionin mbi Regjimin Iranian

355

 

Javën e shkuar, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo shpalli se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Irani ta përmirësojë historikun e tij të të drejtave njerëzore. Ai tha: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë që presioni vetëm sa do të rritet nëse Irani nuk i plotëson standartet që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e aleatët e tyre—si dhe vetë populli iranian—dëshirojnë të shohin.

Për këtë arsye Uashingtoni po kërkon gjithashtu që Teherani të bëjë përmirësime domethënëse për sa i përket të drejtave njerëzore.”

Përfaqësuesi special i Uashingtonit për Iranin, Brian Hook, ka folur gjithashtu për situatën e të drejtave njerëzore në Iran. Ai ka shprehur mbështetje për përqasjen e presionit maksimal dhe ka thënë se populli i Iranit është subjekt i një vuajtjeje të madhe për shkak të mos-respektimit të të drejtave të tij njerëzore nga regjimi.

Që nga fundi i vitit të shkuar, populli i Iranit ka protestuar kundër regjimit iranian. Ai ka vazhduar të protestojë, të bëjë greva e demonstrata anti-qeveritare dhe ka një thirrje jashtëzakonisht të qartë për ndryshim regjimi.

Njerëzit e kanë kuptuar se nuk ka asnjë mënyrë që regjimi iranian të reformohet apo të bëhet më i moderuar. Liderët e huaj u kanë thënë se duhet të jenë të duruar e të presin reformimin – por për sa kohë që regjimi aktual të jetë në pushtet, nuk do të ketë kurrë të drejta njerëzore apo liri për popullin.