Populli i Iranit vazhdon të protestojë kundër situatës së tij dhe kundër regjimit të korruptuar klerikal që u mohon njerëzve të drejtat më minimale.
Që nga fundi i vitit të shkuar, iranianë nga i gjithë vendi kanë marrë pjesë në greva, protesta dhe demonstrata anti-qeveritare. Ata janë nga të gjitha sferat e jetës, nga klasa të ndryshme shoqërore dhe nga grupmosha të ndryshme. Gjithashtu u përkasin grupeve të ndryshme etnike e fetare. E vetmja gjë që i lidh këta njerëz është dëshira për ndryshim regjimi, demokraci, liri dhe të drejtat njerëzore.
Është raportuar se mbi 70 të burgosur politikë po marrin pjesë në një grevë urie në Burgun Qendror të Urmia. Sipas raporteve, ata kanë një javë që e kanë nisur grevën dhe në fundjavë, familjet e tyre u mblodhën jashtë burgut në një tubim. Ata u bënë thirrje autoriteteve përkatëse që t’u përgjigjen kërkesave të të burgosurve.
Kjo grevë është nxitur nga një incident që i ka zemëruar të burgosurit. Të hënën më 15 tetor, rojat e sigurisë në Godinën 12 të burgut rrahën disa nga të burgosurit dhe i transferuan disa prej tyre në izolim. Me sa duket, rojat e sigurisë e kryen këtë sulm pasi të burgosurit kishin protestuar ndaj rrahjes së një të burgosuri tjetër i cili u dërgua më pas në izolim.
Gjashtëdhjetë të burgosur politikë në Godinën 12 po marrin pjesë në këtë grevë urie dhe me ta janë bashkuar edhe 10 të burgosur politikë që mbahen në Godinën 13.
Kamran Darvishi dhe Hamid Rahimi marrin pjesë gjithashtu në këtë grevë urie. Këta dy të burgosur politikë janë rrahur brutalisht dhe janë vendosur në izolim.
Gjatë sulmit nga rojat e sigurisë, shumë nga të burgosurit u lënduan dhe morën plagë të rënda. Këtu përfshihen Hassan Rastegari i cili është goditur rëndë dhe tani ka të vrara në të gjithë trupin dhe Ahmad Tamuie të cilit i janë thyer disa dhëmbë. Turaj Ismaeeli ka një plagë të thellë pas një goditjeje me diçka të mprehtë dhe Kamal Hassan Ramezan-it i është thyer hunda.
Fatkeqësisht, por jo çuditërisht, të burgosurve u është mohuar kujdesi mjekësor.
Gjatë ditëve të fundit, disa nga zyrtarët e lartë të burgut kanë shkuar në burg për t’u kërkuar të burgosurve që t’i japin fund grevës. Ata kanë premtuar se do t’i ndjekin kërkesat e tyre, por, jo çuditërisht (përsëri), asgjë nuk është bërë. Të burgosurit e dinë se çdo premtim i bërë nga zyrtarët është gënjeshtër.
Tre nga të burgosurit janë thirrur nga gjykatësi që supozohet të mbikëqyrë punët e burgut. I burgosuri nuk do të shkojë të takohet me gjykatësin. Në vend të kësaj, ata i bëjnë thirrje gjykatësit që të vijë vetë në burg nëse do të flasë.
Ashtu si të burgosurit në burgje të ndryshme të vendit, ata në Burgun Qendror të Urmia trajtohen shumë keq dhe detyrohen të jetojnë në kushte të tmerrshme. U mohohet kujdesi i duhur mjekësor dhe, në mënyrë të përsëritur, bëhen subjekt i sulmeve të paprovokuara nga rojat e sigurisë. Në Burgun Qendror të Urmia, tre të burgosur kanë vdekur javët e fundit për shkak se u është mohuar kujdesi mjekësor.