Nga Shahriar Kia
Farhad Meysami është një mbrojtës i të drejtave njerëzore që ka bërë fushata për të drejtat e grave në Iran. Ai është mjek dhe u arrestua e u burgos në korrik, dhe aktualisht po mbahet në klinikën mjekësore në Burgun famëkeq Evin në kryeqytetin iranian.
Ai u arrestua me akuzën e mbështetjes ndaj një fushate kundër ligjeve të mbulimit të detyruar, subjekt i të cilave janë femrat në Iran.
- Meysami nisi një grevë urie më 1 gusht. Shëndeti i tij është përkeqësuar gjithnjë e më shumë dhe në fund të muajit të shkuar, autoritetet e zhvendosën në klinikën mjekësore – kundër dëshirës së tij – për t’i bërë presion që t’i japë fund grevës së urisë. Po i injektohen me detyrim lëngje intravenoze dhe i është thënë që nuk do të largohet që aty derisa të fillojë të hajë përsëri.
Organizata e të drejtave njerëzore, Amnesty International, ka shprehur shqetësimin e saj për situatën, duke theksuar se Z. Meysami nuk është kriminel. Drejtori i Kërkimit dhe Mbrojtjes për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Philip Luther, ka thënë: “ ‘Krimi’ i vetëm i Farhad Meysami-t është se ka ngritur zërin kundër praktikës iraniane degraduese e diskriminuese të hixhabit të detyruar dhe ka mbrojtur të drejtën e grave për ta zgjedhur vetë veshjen e tyre. Ai është një i burgosur ndërgjegjeje dhe është krejtësisht skandaloz fakti që ai mbahet në burg. […] Në vend të mbajtjes në izolim në një klinikë mjekësore si ndëshkim dhe për ta detyruar që t’i japë fund grevës së urisë, autoritetet duhet t’i ndalin këto lojëra të liga me shëndetin e tij dhe ta lirojnë menjëherë e pa kushte.”
Ai është arrestuar me akuzën e “fyerjes së shenjtërive islamike”, “mbledhjes e komplotimit për të kryer krime kundër sigurisë kombëtare” dhe “përhapjes së propagandës kundër sistemit”. Z. Meysami e ka nisur grevën e urisë në protestë ndaj burgosjes së tij të paligjshme.
I pashkurajuar nga trajtimi i padrejtë që po i bëhet, Z. Meysami po e vazhdon fushatën e tij nga prapa hekurave. Ai ka bërë thirrje për lirimin pa kushte të avokates së të drejtave të njeriut, Nasrin Sotoudeh, dhe të bashkëshortit të saj Reza Khandan, të cilët janë në burg për mbështetjen e tyre ndaj fushatës kundër mbulimit të detyruar të grave.
Mbulimi i detyruar është një temë shumë kontroversale në Iran dhe shumë gra e kanë protestuar ligjin duke e hequr shaminë e kokës në publik. Autoritetet i janë përgjigjur me dhunë të madhe kësaj gjëje dhe kanë arrestuar e ndjekur shumë gra. Organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë praktikë diskriminuese që i degradon gratë e shkel të drejtat e tyre njerëzore. Ato kanë dënuar gjithashtu autoritetet për shtypjen e mëtejshme të grave që protestojnë në mënyrë paqësore kundër ligjit.
- Meysami ka humbur rreth 18 kg dhe është jashtëzakonisht i brishtë. Autoritetet e burgut po ia mohojnë atij të drejtën për të dhënë pëlqimin e tij apo për të refuzuar trajtimin dhe po ia shkelin të drejtën e lirisë së shprehjes duke i bërë presion që t’i japë fund grevës së urisë.
Fatkeqësisht këto praktika janë norma në Iran. Të drejtat e njeriut shkelen nga regjimi iranian dhe liria në çfarëdo formë nuk respektohet. Kjo është arsyeja pse populli i Iranit është i vendosur për të realizuar ndryshimin e regjimit në vendin e tij. Ai e kupton se regjimi është i paaftë të reformohet.
Shahriar Kia është anëtar i opozitës iraniane (PMOI /MEK). Ai është aktivist i të drejtave njerëzore dhe analist politik mbi Iranin dhe Lindjen e Mesme.