Në një artikull të publikuar në uebsitin e Shtëpisë së Bardhë, Victoria Coates, Zëvendës Asistente e Presidentit amerikan dhe Drejtoreshë e Lartë për Lindjen e Mesme shpjegon strategjinë e SHBA-së për të rritur presionin mbi regjimin iranian.
Duke cituar veprimet armiqësore dhe destabilizuese të Republikës Islamike, Coates shkruan: “Nën drejtimin e Presidentit, ne i kemi dhënë përparësi fushatës së presionit maksimal duke ushtruar stres të paprecedent mbi ekonominë e Iranit, duke e detyruar Teheranin të bëjë zgjedhje gjithnjë e më të vështira.”
Duke iu referuar impaktit të sanksioneve amerikane kundër regjimit iranian dhe braktisjes së JCPOA-së nga administrata aktuale e SHBA-së, ajo thotë: “Parashikimet se sanksionet e njëanshme amerikane do ta dobësonin dhe izolonin Amerikën ndërkohë që pjesa tjetër e globit përpiqet të bëjë biznes me Iranin kanë dalë të pavërteta; nga ana tjetër, Irani është bërë gjithnjë e më i vetmuar dhe i privuar nga influksi i parashikuar i investimeve të huaja që do ta shpëtonte ekonominë e tij në prag të vdekjes.”
“Siç e ka pranuar vetë Presidenti Rouhani, Irani do të hyjë në një periudhë stresi të paprecedent mbi ekonominë e tij në çerekun e dytë të 2019-ës. Duam që ky presion të jetë deciziv dhe po i plotësojmë sanksionet me përpjekje më të gjera për ta rritur koston e politikave destruktive dhe destabilizuese të Iranit deri në një nivel të patolerueshëm, siç e kërkon strategjia e Presidentit Trump,” shtoi më tej zyrtarja e lartë amerikane.
Duke thënë se “sjellja malinje e regjimit iranian në rajon është një kërcënim direkt dhe i konsiderueshëm ndaj interesave ekonomike dhe strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe ndaj popullit amerikan” gjë që “rrezikon të ndezë një konflikt më të gjerë,” Coates përshkruan përpjekjet më të gjera diplomatike për ta izoluar më tej teokracinë që sundon Iranin.
“Mund të bëjmë edhe më shumë për t’i ulur veprimtaritë e Iranit brenda kufijve dhe në rajon. Mund të vazhdojmë të nxisim lidhje më të ngrohta midis Irakut dhe shteteve të Gjirit Persik, veçanërisht Arabisë Saudite dhe Kuvaitit. Kemi bërë tashmë progres të rëndësishëm në rreshtimin e Izraelit, Arabisë Saudite, Bahreinit, dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE) në mbështetje të Strategjisë së Presidentit ndaj Iranit. Bashkëpunimi gjithnjë e më i hapur i Izraelit me një sërë vendesh arabe në sektorët ekonomikë dhe të sigurisë i sjell dobi të gjithëve. Duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për ta bërë këtë bashkëpunim “normën e re” për të mirën e të gjithëve,” shkruan Coates.
“40-vjetori i Revolucionit Islamik sjell në fokus dështimin e regjimit në sjelljen e ndryshimit radikal nga korrupsioni i ngulitur, siç kishte premtuar në 1979-ën, si dhe perspektivat e zymta të së ardhmes për Iranin nëse vazhdon në këtë rrugë. Kritikat popullore ndaj Teheranit për keqmenaxhimin ekonomik vazhdojnë të jehojnë, dhe tabutë rreth diskutimit publik mbi procesin e trashëgimit të Udhëheqësit Suprem vazhdojnë të gërryejnë.”
Coates konkludon: “Mesazhi ynë kryesor për popullin iranian, viktimën e shumë-vuajtur të regjimit, duhet të jetë i fortë e i qartë: Dyzet vjet më vonë, pikëpamja juaj mund të jetë radikalisht ndryshe.”