Saturday, February 4, 2023

OKB publikon një dokument të Amnesty që bën thirrje për hetim mbi masakrën e të burgosurve politikë në 1988-ën

 

24 shkurt 2019 – Amnesty International ka nxjerrë një deklaratë, të publikuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, që bën thirrje për një hetim mbi dosjen e krimeve të kryera nga zyrtarët e regjimit aktual të mullahëve në Iran për përfshirjen e tyre në masakrën e 1988-ës ku u vranë mbi 30,000 të burgosur politikë.

Shumica e këtyre viktimave ishin anëtarë dhe mbështetës të opozitës iraniane Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Deklarata lexon:

“Mes fundit të korrikut dhe shtatorit 1988, autoritetet iraniane zhdukën me forcë dhe ekzekutuan në mënyrë jashtë-gjyqësore mijëra të burgosur për opinionet e tyre politike, dhe i hodhën trupat e tyre në varre të pashënuara individuale dhe masive… Që atëherë, autoritetet i kanë torturuar familjarët duke mos pranuar t’u tregojnë kur, si dhe pse të afërmit e tyre janë vrarë dhe duke i mbajtur të fshehur trupat e tyre. Për të përforcuar fshehtësinë, ata kanë shkatërruar gjithashtu vendndodhjet e varreve masive dhe kanë ndaluar përkujtimet.”

Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut duhet ta shqyrtojë pandëshkueshmërinë që kanë gëzuar zyrtarët e mullahëve në vijim të këtij krimi kundër njerëzimit në Iran.

Amnesty International u bën thirrje të gjitha vendeve që ta zgjerojnë misionin e Raportuesit Special të OKB-së mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran dhe të mbështesin kauzën e tij. Amnesty u bën gjithashtu thirrje zyrtarëve iranianë që të bashkëpunojnë me këtë mision.

“Nisur nga natyra e tyre e përhapur dhe sistematike, Amnesty International konsideron se ekzekutimet jashtë-gjyqësore dhe zhdukjet e vazhdueshme të detyruara përbëjnë krime kundër njerëzimit, dhe bën thirrje për aksion urgjent nga komuniteti ndërkombëtar. Asnjë zyrtar nuk është vënë ndonjëherë përpara drejtësisë për këto mizori. Në fakt, organet kryesore gjyqësore dhe qeveritare që duhet të sigurohen që viktimat të marrin drejtësinë përfshijnë  zyrtarë të cilët kanë patur për detyrë të kryejnë vrasjet në 1988-ën,” shton deklarata e Amnesty.

Në gusht 2017, pas dekadash heshtjeje nga komuniteti ndërkombëtar, Raportuesja Speciale e atëhershme e OKB-së mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran, Asma Jahangir, ia kushtoi një segment të raportit të saj masakrës së 1988-ës. Ky raport thekson masat e marra nga regjimi kundër familjeve që kërkonin të vërtetën për fatin e të afërmve të tyre dhe kundër përpjekjeve për të bërë që drejtësia të triumfojë. Raporti i Raportueses Speciale bën thirrje për një hetim të efektshëm mbi faktet dhe bërjen publike të së vërtetës.

Deri më sot, nuk është kryer asnjë hetim i tillë.

Amnesty shkruan: “Irani po përballet me një krizë pandëshkueshmërie që shkon përtej mos-marrjes së përgjegjësisë për zhdukjet e detyruara dhe ekzekutimet jashtëgjyqësore të 1988-ës.

“Që nga viti 2016, autoritetet i kanë lartësuar gjithnjë e më shumë fajtorët e këtyre vrasjeve masive duke i quajtur ‘heronj kombëtarë’ dhe çdo kritikë ndaj këtyre mizorive e kanë krahasuar me mbështetjen për ‘terrorizmin’.

“Organet qeveritare, gjyqësore dhe të prokurorisë, të cilat kanë për detyrë që vënë në vend drejtësinë për krimet e së shkuarës dhe për ato që vazhdojnë, përfshijnë zyrtarë të lartë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në këto vrasje.

“Autoritetet i kanë shtypur për dekada të tëra liritë e besimit, shprehjes, shoqërimit dhe mbledhjes paqësore; kanë zhvilluar procese gjyqësore të padrejta dhe kryesisht sekrete; kanë kryer tortura; kanë ekzekutuar qindra njerëz çdo vit; dhe kanë mbajtur mijëra të tjerë në pritje të ekzekutimit.”

 

Ky realitet i dhimbshëm është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me pandëshkueshmërinë që kanë gëzuar autoritetet që nga vitet 1980; ata besojnë se mund të kryejnë shkelje të të drejtave të njeriut pa vuajtur pasoja.

 

Amnesty International i bën thirrje OKB-së që të nisë hetime të pavarura dhe efektive mbi ekzekutimet jashtëgjyqësore të kryera në 1988-ën, si dhe mbi zhdukjen e vazhdueshme të detyruar të viktimave dhe torturimin e keq-trajtimet e tjera ndaj familjeve të viktimave.