Iran: Numri i Vdekjeve nga Koronavirusi Shkon në Mbi 2,000
Koronavirusi përhapet në Iran
Situata në Gilan është kritike; mbi 300 viktima
Maryam Rajavi u bën thirrje të rinjve të ndihmojnë për shpëtimin e jetëve duke marrë masa mbrojtëse për vete
Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) ka shpallur se numri i viktimave të Koronavirusit në 105 qytete të Iranit e ka tejkaluar shifrën 2,000.
Gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën qindra njerëz, veçanërisht në Teheran, Rasht, Anzali, Astaneh, Rudsar, Someh-Sara, Chalus, Isfahan, Khansar, Kermanshah, Karaj, Mashahd, Qom, Saqez, Alishter, Tuyserkan, Baneh, Urmia, Dezful, Marand, Najaf-Abad, dhe Yazd. Numri i të prekurve nga virusi po rritet në mënyrë eksponenciale. Regjimi iranian, me ngurrim dhe me vonesë, i ka anulluar grumbullimet për lutjet e së premtes dhe lutjet kolektive në xhami.
Regjimi i ka mbyllur gjithashtu autostradat drejt shumë provincave, duke përfshirë Yazd, Gilan, Fars, Qazvin, Zanjan, Ardabil, Kerman, Isfahan, Golestan, Semnan, Lorestan, Mazandaran, Kermanshah, Khorasan-Razavi, Kohgiluyeh, Sistan dhe Baluchistan.
Situata në provincën Gilan, sidomos në Rasht, është kritike dhe kanë vdekur mbi 300 njerëz. Jafarzadeh Imen Abadi, deputet i parlamentit nga Rasht, tha të premten: “Numri i njerëzve që janë infektuar ose kanë vdekur nga Koronavirusi është tmerrues. Nuk ka as kuti prove… nuk ka shtretër nëpër spitale për raste të reja në Rasht e në zonat përreth… na duhen anëtarë të rinj stafi sepse shumë mjekë e infermierë janë prekur nga virusi ose janë aq të lodhur saqë nuk mund të shërbejnë.” Zabih Nikfar, një tjetër deputet nga Lahijan, tha: “Gilani ka situatën më të keqe në të gjithë vendin.”
Kuseh Gharavi, deputet i parlamentit nga provinca Golestan, tha: “Situata në provincën Golestan është e tmerrshme dhe shifrat e dhëna nuk janë shumë realiste.” Duke cituar zyrtarët e universitetit, ai shtoi: “Numri i njerëzve të infektuar nga Koronavirusi po rritet në mënyrë eksponenciale… Shpresoj të merren masa të veçanta për ta vënë nën kontroll situatën.” Numri i viktimave në provincën Golestan është të paktën 175.
Guvernatori i Qazvin ka shpallur gjendje emergjence, duke i mbyllur të gjitha vendet publike, vendet e shenjta, muzeumet, xhamitë, dhe konviktet.
Mbrëmjen e djeshme, në një fjalim televiziv drejtuar popullit iranian, Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), theksoi se sjellja kriminale e mullahëve në krizën e Koronavirusit është vijim i masakrës së madhe ndaj protestuesve gjatë kryengritjes së nëntorit 2019. Kur sundimi i tyre është në rrezik, mullahët nuk kanë mëshirë për askënd, theksoi ajo, duke shtuar se beteja e popullit iranian kundër Koronavirusit është pjesë e pandarë e luftës së tyre kundër regjimit çnjerëzor klerikal për të themeluar lirinë dhe demokracinë.
Presidentja e zgjedhur e NCRI-së i bëri thirrje të gjithë mbështetësve të PMOI/MEK dhe Rezistencës Iraniane në Iran që t’i ndihmojnë dhe të kujdesen për njerëzit e prekur nga virusi dhe të ndihmojnë për t’u shpëtuar jetën bashkatdhetarëve të tyre, duke marrë ndërkohë të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse për vete dhe duke përdorur gamën e plotë të burimeve mjekësore të disponueshme.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
7 mars 2020