Qindra mijëra të burgosur, sidomos të burgosur politikë, në rrezik infektimi me koronavirus

576

Znj. Rajavi i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë menjëherë për t’u shpëtuar jetën të burgosurve politikë

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), duke paralajmëruar për ekspozimin gjithnjë e më të madh të të burgosurve në Iran ndaj Koronavirusit, dhe për përhapjen e virusit në shumë burgje, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Sekretarit të Përgjithshëm, Këshillit të të Drejtave të Njeriut, Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut, dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që të veprojnë menjëherë për t’u shpëtuar jetët të burgosurve, sidomos të burgosurve politikë që gjenden nën torturë e kufizime e presione të tjera. Ndërhyrja urgjente ndërkombëtare është thelbësore për shmangien e një katastrofe të madhe humanitare, tha ajo.

Pas përhapjes së Koronavirusit në mbarë Iranin, të burgosurit, sidomos të burgosurit politikë, janë në një situatë të rrezikshme në shumicën e burgjeve, duke përfshirë Evin, Qezel-Hesar, Gohardasht, Ardebil, Urmia, Quchan, Zahedan, Kermanshah, dhe Sanandaj. Në të gjitha këto burgje, të burgosurit e infektuar nuk janë vënë në karantinë, dhe nuk ndërmerret asnjë trajtim serioz apo masë parandaluese. Të burgosurit politikë që vuajnë nga kufizime shtesë përballen me rreziqe më të mëdha në rast infektimi. Fjala e Kryegjyqtarit të regjimit, Ebrahim Raisi, se do t’u japin leje të përkohshme të burgosurve është thjeshtë një taktikë mashtruese dhe kjo gjë është lejuar vetëm për pak të burgosur. Të burgosurit politikë janë përjashtuar.

Duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar, disa të burgosur politikë Sunni në burgun Gohardasht protestuan ndaj kushteve të tmerrshme sanitare të burgut dhe paralajmëruan për mundësinë e infektimit nga virusi. Ata kërkuan që t’u jepen objekte higjiene dhe të merren masa parandaluese kundër transmetimit të sëmundjes në burg.

Pas infektimit të një të burgosuri në Urmia, rojat shkuan në godinë me një termometër por, pasi ua matën temperaturën pak të burgosurve, u larguan me justifikimin se pajisjes i kishte mbaruar bateria, dhe nuk u kthyen më. Në një sektor tjetër të burgut ku mbahen qindra të burgosur, kur u infektua njëri prej tyre, rojat përdorën një altoparlant për t’u thënë të burgosurve të tjerë që të ishin të kujdesshëm! Kur të burgosurit protestuan dhe kërkuan materiale anti-infeksion, rojat e burgut e dezinfektuan godinën me ujë e zbardhues!

Gjatë ditëve të fundit, familjarët e të burgosurve në Burgun Qendror të Urmias janë grumbulluar përpara burgut me para për garanci për të kërkuar lirim të përkohshëm për njerëzit e tyre, por zyrtarët e burgut refuzojnë t’u japin leje. Në Zahedan janë infektuar disa të burgosur.  Vizitat familjare janë anulluar që 10 ditë më parë. Në Quchan, një i burgosur ka vdekur, dhe të burgosurit e tjerë janë në rrezik infektimi. Të burgosurit kanë protestuar ndaj mungesës së trajtimit dhe masave parandaluese, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

7 mars 2020