Saturday, September 23, 2023

SHBA Është Gati për ta Akuzuar Regjimin Iranian se Ka Shkelur Ndalimin e Armëve Kimike

 Administrata e SHBA-së është gati ta akuzojë Iranin për shkelje të një traktati ndërkombëtar që ndalon armët kimike, sipas dy zyrtarëve amerikanë të premten.

Zyrtarët, të cilët refuzuan të jepnin emrat pasi nuk ishin të autorizuar për ta diskutuar këtë çështje publikisht, shpjeguan se administrata Trump ka në plan ta shpallë gjatë kësaj jave mosbindjen e Iranit ndaj Konventës së 1997-ës për Armët Kimike, e cila ndalon prodhimin, mbajtjen rezervë dhe përdorimin e armëve kimike.

Gjetjet e SHBA-së, të bazuara në informatat e fundit të inteligjencës, nuk thonë se Irani ka përdorur armë kimike, por se Regjimi i ka mbajtur objektet dhe pajisjet e nevojshme për t’i prodhuar ato.

Ndërkohë që ky përcaktim nuk do të kërkonte penalitete të menjëhershme nga SHBA, mund të përdoret për të bërë një kallëzim kundër Iranit në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike – një trup prej 193 anëtarësh me bazë në Hagë, i cili mbikëqyr traktatin.

Të premten, ligjvënësit u njoftuan për përcaktimin e ardhshëm dhe iu tha se mund të prisnin një shpallje zyrtare që të hënën, sipas zyrtarëve, edhe pse deri tani nuk ka dalë asnjë shpallje.