Punëtorët e zemëruar të Fabrikës së Sheqerit Haft Tappeh u mblodhën për një protestë në gjykatën qendrore të Shush sot për të kërkuar lirimin e kolegëve të tyre të burgosur.
Të paktën 19 aktivistë të punës janë arrestuar të dielën më 18 nëntor, në vijim të një greve dy-javore në protestë ndaj rrogave të papaguara dhe privatizimit të kompanisë.
Unioni i Punëtorëve të Fabrikës së sheqerit Haft Tappeh nxori një deklaratë të dielën, e cila shpjegonte se 19 punëtorë janë arrestuar për shkak të protestave të tyre paqësore dhe i identifikonte ata me emër. Deklarata thoshte gjithashtu se familjet e të arrestuarve janë shumë të shqetësuara dhe kërkojnë lirimin e menjëhershëm të tyre.
Një nga më të shquarit ndër ata që janë arrestuar është aktivisti Ismael Bakhshi, fjalimi i shkurtër i të cilit, ku qorton qeverinë për faktin që i drejton armët protestuesve të paarmatosur, ka marrë dhenë në mediat sociale.
Në këtë fjalim, ai shkruan: “Ne jemi të zemëruar por në vend që të marrin masa specifike, ata sjellin policinë dhe të ndyrat Seda e Sima (televizione shtetërore), dhe i filmojnë përplasjet e thonë se ata (punëtorët) janë kryengritës.” Ata vetëm gënjejnë në vend që ta zgjidhin problemin. Guvernatori dhe Ministri thonë se kjo (Haft Tappeh) kompani ishte e falimentuar edhe pse vetë kanë vjedhur prej saj. Edhe nëse na i paguajnë rrogat, greva do të vazhdojë për sa kohë që kompania të jetë e privatizuar.”
Privatizimi i fabrikës në 2015-ën i ka përkeqësuar shumë kushtet për punëtorët, ndërkohë që i ka rritur fitimet për drejtorin tashmë të pasur, i cili është arratisur nga vendi që kur filluan protestat.
Emrat e tjerë të të arrestuarve janë Mosslim Armand, Pouya Bashmeh, Saeid Mansouri, Jalil Ahmadi, Asim Sorkheh, Mehdi Davoudi, Saeid Alkasir, Alizadeh, Omid Azadi, Samir Ahmadi, Salamat Nia, Emad Kasir, Mahmoud Sa’di, dhe Mohammad Khanifar.
Gjatë grevës së djeshme, tre autobuzë me forca sigurie u përpoqën ta parandalojnë grumbullimin e mijëra punëtorëve e familjeve të tyre duke mbyllur portat e fabrikës për t’i kyçur brenda grevistët, por nuk ia dolën ta shtypin protestën.
Në videot e mediave sociale, turmat mund të dëgjohen tek thërrasin, “Poshtë tiranët, rrofshin punëtorët”, “Problemet tona do të zgjidheshin me një rast korrupsioni më pak”, dhe “Poshtë shtypësit, rrofshin punëtorët. Poshtë Rouhani”.
Ditën e mëparshme, forcat e sigurisë shtetërore kishin ushtruar dhunë. Një punëtor kishte raportuar se 12 agjentë e kishin sulmuar dhe i kishin thyer dorën.
Mbështetje për punëtorët
Punëtorët e Grupit Kombëtar të Industrisë së Çelikut të Iranit në Ahvaz, si dhe tregtarët e pronarët e dyqaneve në Pazarin e Shush, janë gjithashtu në grevë dhe shprehin mbështetjen e tyre ndaj punëtorëve të Fabrikës së Sheqerit Haft Tappeh.
Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Rezistencës Iraniane, ka thënë: “[Shush] ka ngritur krye me thirrjet e punëtorëve, dhe me solidaritetin e grevën e të rinjve, mësuesve e tregtarëve të pazarit. Armiku përpiqet më kot t’i bëjë të heshtin punëtorët e varfër të Haft Tappeh duke i shtypur e arrestuar, por thirrja “jemi të uritur, të uritur” e fëmijëve të Shush, i bën thirrje ndërgjegjes së çdo qenieje njerëzore që të ngrihet kundër mullahëve tiranë.”