SHBA të martën dënoi caktimin e një ajatollahu famëkeq, përgjegjës për vdekjen e mijëra të burgosurve politikë në vitet 1980, si kryetar të Drejtësisë së plot-pushtetshme të Iranit.
Zëvendës Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Robert Palladino postoi në Twitter, në farsi dhe në anglisht, se caktimi i klerikut konservator Ebrahim Raisi është një “turp”, nisur nga fakti që ai ka shërbyer në Komisionin e Vdekjes të Teheranit, i cili vari mijëra të burgosur politikë në verën e 1988-ës.
Palladino tha: “Ebrahim Raisi, i përfshirë në ekzekutime masive të të burgosurve politikë, u zgjodh për të kryesuar drejtësinë e Iranit. Sa turp! Regjimi tallet me procesin ligjor duke lejuar gjyqe të padrejta e kushte çnjerëzore nëpër burgje. Iranianët meritojnë më shumë!”
Përfshirja e Raisi-t në masakrën e 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën u bë e njohur publikisht gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2017-ës kur Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei e mbështeti Raisi-n si kandidat kundër Presidentit aktual Hassan Rouhani.
Në fund, Raisi e humbi atë garë, por aktivistët e të drejtave njerëzore dhe vrojtuesit politikë janë të shqetësuar se emërimi i ri i Raisi-t do të bëjë që abuzimet që ndodhin rëndom në Drejtësinë iraniane, duke përfshirë shpërfilljen ndaj procesit të duhur të ligjit, lejimin e arrestimeve sekrete, burgosjet pa akuza dhe torturën në burg, do të përkeqësohen më tej.