Presidenti i Regjimit Iranian, Hassan Rouhani, i ka pranuar më në fund kushtet e rënda të jetesës së popullit iranian gjatë një fjalimi të hënën.
Në një fjalim të transmetuar live nga qyteti Khoy, Rouhani tha: “Jam plotësisht i vetëdijshëm që kushtet e jetesës së popullit janë vështirësuar në krahasim me muajt e shkuar. Çmimet e të mirave kanë marrë të përpjetën. E di se situata ekonomike është vështirësuar. Është e vërtetë që kemi probleme në prodhim. Sipas detyrimeve tona fetare dhe kombëtare, do ta vazhdojmë rrugën tonë; në asnjë mënyrë nuk do t’i lejojmë njerëzit të kenë probleme madhore në sigurimin e të mirave bazë.
Sigurisht, edhe zyrtarët iranianë po e pranojnë që 80% e iranianëve jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe nuk mund t’i përballojnë tashmë të mirat bazë, kështu që Rouhani ka dështuar tashmë në këtë pikë.
Ndërkohë, në një protestë anti-Rouhani në Khoy, forcat e sigurisë u përplasën me protestuesit e zemëruar të cilët thërrisnin “Nuk keni nder” dhe “Turp të keni, turp të keni!”.
Pavarësisht këtyre protestave, Rouhani pretendoi se SHBA e ka patur gabim nëse ka menduar se iranianët do të ngriheshin kundër Regjimit me sanksionet, gjë që nuk ka kuptim po të marrësh në konsideratë faktin që iranianët kanë qenë të përfshirë në kryengritje anti-regjim që në fillim të këtij viti përpara sanksioneve; një kryengritje që vazhdon ende e pazbutur.