Në një konferencë për shtyp në Paris të enjten, përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit dhanë informacione të detajuara për protestat iraniane që kanë vazhduar për tetë muaj pavarësisht nga shtypja intensive.
Kjo konferencë u mbajt në fund të ditës së një ekspozite me rastin e 30-vjetorit të masakrës së 30,000 të burgosurve politikë iranianë në verën e vitit 1988.
Organizatat ndërkombëtare si Amnesty International e kanë përshkruar këtë incident si një krim kundër njerëzimit. Fajtorët nuk janë gjykuar asnjëherë, dhe shumë prej tyre vazhdojnë të jenë në pushtet në institucionet politike, gjyqësore dhe represive të Teheranit. Njëri prej këtyre individëve, Alireza Avaie, ka shërbyer në “komisionin e vdekjes” në Dezful në vitin 1988 dhe sot mban pozicionin e Ministrit të Drejtësisë.
Një aktiviste e Rezistencës Iraniane që mori pjesë në konferencën e së enjtes shpjegoi se kishte humbur 15 të afërm, shumica prej tyre anëtarë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit, nga regjimi klerikal. Ajo dhe të tjerë ndanë historitë e tyre personale si dëshmitarë të masakrës së 1988-ës, si dhe vërejtje rreth krimeve të tjera të kryera nga mullahët.
Sipas anëtarit të Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI, Behzad Naziri, zyrtarët përgjegjës për masakrën e 1988-ës po mbajnë pozicionet më të larta në regjimin iranian dhe i kanë vazhduar krimet e tyre kundër popullit iranian pa u ndëshkuar. Por konferenca e së enjtes kërkonte të demonstronte se kjo gjë nuk po e ndalon aktivizmin e popullit.
Afshin Alavi, një tjetër anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme, tha, “Kanë kaluar më shumë se shtatë muaj e gjysëm që nga nisja e protestave masive që filluan në fund të vitit të shkuar kundër regjimit në mbi 142 qytete dhe u shtypën në janar të këtij viti. E megjithatë jemi dëshmitarë të demonstratave e grevave në qytete të ndryshme të Iranit. Kjo po ndodh pavarësisht asaj çfarë propaganda e regjimit dhe lobuesit e saj jashtë vendit e kanë bërë median të besojë: se këtë herë, ashtu si në vitin 2009, kryengritja është ndaluar dhe teokracia dominon situatën.”