Sekretari i Shtetit Mike Pompeo të enjten zbuloi krijimin e një ekipi të ri që do të koordinojë përqasjen post-paktit bërthamor të administratës Trump ndaj Iranit dhe që do të forcojë mbështetjen për këtë strategji jashtë vendit.
Grupi i Veprimit ndaj Iranit do të drejtohet nga Brian Hook, këshilltari i lartë i politikës së sekretarit të shtetit, i cili do të marrë titullin përfaqësues i veçantë për Iranin. Pompeo u tha reporterëve që koalicioni ka për detyrë të “drejtojë, rishikojë dhe të koordinojë të gjitha aspektet e veprimtarisë së Departamentit të Shtetit për sa i përket Iranit” dhe do t’i raportojë direkt atij.
Objektiva kryesore e strategjisë së re amerikane është të ndryshojë sjelljen e regjimit iranian duke aplikuar trysni ekonomike dhe izolim diplomatik për ta shtrënguar Teheranin. Hook tha të enjten se nga 12 qëllimet e parashtruara nga Pompeo më herët këtë vit, grupi do të përqendrohet në përpjekjen për të siguruar që Irani nuk do të ndjekë kërkime bërthamore për përdorim të mundshëm ushtarak, për të zvogëluar aftësinë e Iranit për të financuar grupe terroriste, si dhe për të sigururar lirimin dhe dhëniën fund praktikës së “arrestimit arbitrar” të qytetarëve amerikanë.
Theksi i këtij koalicioni do të vihet edhe në krijimin e “nivelit më të gjerë të mbështetjes ndërkombëtare” për strategjinë e re amerikane, dhe Hook tha që kishte patur diskutime produktive të mërkurën me zyrtarë francezë, gjermanë dhe britanikë mbi Iranin.
Ai përgëzoi refuzimin e Presidentit Donald Trump për të rifirmosur paktin në maj, duke argumentuar se kjo lëvizje i kishte dhënë lirinë Departamentit të Shtetit për të “ndjekur të gjithë diapazonin e kërcënimeve të Iranit,” në mënyrë diplomatike, kërcënime të cilat, vërejti ai, janë gjithashtu shqetësime të aleatëve të SHBA-së.
Ky grup nuk është formuar me qëllimin për të krijuar dialog ndërmjet Teheranit dhe Uashingtonit, tha Hook, duke shtuar se “marrëdhëniet normale mund të fillojnë vetëm pasi të shohim se regjimi iranian e ka ndryshuar seriozisht sjelljen e tij.”