Saturday, September 7, 2024

Haley: Vendet Europiane Do Të Kenë Pasoja Nëse Shpërfillin Sanksionet Amerikane Mbi Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump shpalli më herët këtë vit se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga pakti bërthamor i vitit 2015 dhe se do të rivendoseshin sanksionet paralizuese ekonomike. Më pas, Departamenti i Shtetit shpalli se pret që vendet e huaja t’i çojnë në zero importet e naftës iraniane.

Hapat e ndërmarrë nga administrata Trump përfaqësojnë një politikë mjaft të ashpër ndaj Regjimit Iranian pas shumë vitesh paqësimi nga administratat e mëparshme.

Përpara se ai të shpallte vendimin e daljes nga pakti bërthamor, nënshkruesit e tjerë të paktit u përpoqën ta nxisin Presidentin Trump që të qëndronte brenda kornizës së paktit. Sipas tyre, bota është një vend më i sigurtë me një pakt bërthamor të pacenuar. Sidomos europianët ishin shumë të prirur ndaj qëndrimit të Shteteve të Bashkuara brenda paktit dhe liderët e BE-së janë munduar ta paqësojnë Iranin pas kërcënimit të tij se do të largohej nga pakti.

Më 23 shtator, Ambasadorja amerikane për Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha gjatë një interviste në “Face the Nation” se aleatët e SHBA-së nuk duhet t’i mbajnë shpresat tek përjashtimi nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara për sa i përket bizneseve të tyre me Iranin.

Pyetjes nëse nënshkruesit e tjerë të paktit do të përballeshin me penalitete po të vazhdonin të bënin biznes me Iranin, ajo iu përgjigj: “Europianët duhet të marrin një vendim. 
Dhe mendoj se ky vendim është duke u marrë që tani. Po të shohësh, ata po i braktisin bizneset me Iranin nga te gjitha anet. Ne kemi vendime për të marrë për sa i përket çështjes se a do të marrin përjashtime ata apo jo, por po jua them që tani, kemi ndërmend të tregohemi shumë të ashpër ndaj Iranit. Nuk do t’ua bëjmë të lehta gjërat.”

Të dielën, Haley shpjegoi gjithashtu arsyet prapa veprimeve të administratës Trump. Ajo tha: “Vendimi ynë ishte se qindra bilionë dollarë i shkonin Iranit dhe në këmbim, ata bënin testime raketash balistike, u shitnin armë terroristëve, me një fjalë, vazhdonin të mbështesnin terrorizmin. Dhe ne thamë, ‘Nuk do t’ju japim para që të vazhdoni t’i bëni këto ligësi.’”