Friday, September 20, 2024

Regjimi Iranian Thyen Këmbët dhe Shpatullën e të Burgosurit Politik në një Rrahje Mizore

 Të burgosurit politik iranian, Arzhang Davoodi-t, i janë thyer të dyja këmbët dhe shpatulla pasi është rrahur e hedhur nga shkallat në Burgun Qendror në Zahedan, në provincën Baluchistan, sipas burimeve, dhe diagnozat mjekësore thonë se ai nuk do të jetë në gjendje të ecë pa ndihmë deri në fund të jetës së tij.

Davoodi, 65, u thirr në zyrën e shefit të burgut më 3 prill, ku ia lidhën me zinxhir duart e këmbët. Teksa largohej nga dhoma, zëvendës shefi e shtyu nga shkallët e katit të dytë dhe, meqë këmbët e duart e Davoodi-t ishin të lidhura, ai nuk mundi të mbante barazpeshën. Ky sulm rezultoi në thyerjen e kockës së kofshës së djathtë dhe të kërcirit të majtë, nxjerrjen e shpatullës dhe mavijosje në shtyllën kurrizore.

Aktualisht, Davoodi, mësues, mezi ec dhe po mbahet në një dhomë të pisët e të errët në karantinën e burgut, gjë që vetëm sa po e përkeqëson shëndetin e tij të dobët.

Davoodi ka qenë në grevë urie që nga 3 marsi në protestë ndaj faktit që mbahej në një qeli të veçuar e të vogël që nga gushti 2017, me mungesë aksesi ndaj vizitave familjare, telefonatave, komunikimit me të burgosurit, kohës së lirë, leximit, televizionit, si dhe ilaçeve e ushqimit të mirë.

Davoodi, i cili u dërgua në burgun e Zahedanit në janar, është arrestuar në vitin 2003 për faktin se kishte kritikuar abuzimin e Iranit me të drejtat njerëzore në një dokumentar që hetonte vdekjen e dyshimtë të Zahra Kazemi-t, një fotogazetare kanadeze-iraniane. Gjatë kohës së tij në burg, Davoodi është torturuar vazhdimisht, rrahur, mbajtur në qeli të vetmuara dhe në kushte të papastra.

Amnesty International ka bërë vazhdimisht thirrje që Davoodi të lirohet menjëherë pasi është “i burgosur i ndërgjegjes”.