Regjimi Iranian Kundër Komunitetit Ndërkombëtar

313

Zyrtarët iranianë ikën në mënyrë të pasjellshme nga një takim me të dërguarit europianë në Teheran më 8 janar dhe e përplasën derën pas tyre, në një sjellje që po përshkruhet si një shkelje e jashtëzakonshme e protokollit.

Diplomatët francezë, britanikë, gjermanë, danezë, hollandezë dhe belgë thjesht u kishin thënë zyrtarëve iranianë që Europa nuk do të tolerojë më testime të raketave balistike nga Irani apo komplote vrasjesh në tokën europiane, sipas katër diplomatëve të BE-së, por kjo kërkesë plotësisht e arsyeshme i zemëroi zyrtarët e ministrisë së jashtme iraniane.

Një diplomat europian tha: “Pati shumë dramë, atyre nuk u pëlqeu, por e ndjemë se duhej t’ua përçonim shqetësimet tona serioze.”

Ndërsa një diplomat tjetër tha: “Kjo tregon se marrëdhënia po bëhet më e tensionuar.”

Ditën tjetër, BE vuri sanksionet e saj të para mbi Iranin që nga firmosja e paktit bërthamor të 2015-ës, duke marrë në shenjë ministrinë iraniane të inteligjencës dhe dy nga zyrtarët kryesorë të saj. Këto sanksione janë më shumë simbolike, pasi Irani i fsheh agjentët dhe asetet e ministrisë së inteligjencës dhe njëri nga zyrtarët e marrë në shënjestër është tashmë duke pritur gjykimin në Belgjikë me akuza terrorizmi, por takimi që i parapriu këtyre sanksioneve tregoi një ndryshim të papritur në politikën e BE-së drejt Iranit.

Tani, gjithnjë e më shumë vende të BE-së po u bashkohen Francës dhe Britanisë për të bërë thirrje për një qëndrim më të rreptë ndaj Teheranit, gjë që mund të përfshijë sanksione të reja ekonomike, ngrirje asetesh, dhe ndalim udhëtimi për personat përgjegjës për programin balistik të Iranit si dhe për ata që janë të lidhur me Gardën Revolucionare.

Një diplomat i lartë europian tha: “Do të parapëlqenim të mos i merrnim këto masa, por ata duhet t’i ndalin përpjekjet për të vrarë njerëz brenda territorit tonë dhe gjatë tre viteve të fundit e kanë intensifikuar programin e tyre balistik.”

Kjo gjë do ta çonte BE-në më në përputhje me politikën e re të SHBA-së ndaj Iranit, e cila nisi vitin e shkuar kur Donald Trump u tërhoq nga pakti bërthamor; pakt ndaj të cilit BE mbetet e përkushtuar tani për tani.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit tha se ka “një konsensus ndërkombëtar në rritje” për sa i përket gamës së kërcënimeve iraniane dhe se SHBA i mirëpret përpjekjet e Europës për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve.

Disa paralajmërojnë se kjo mund të çojë në lëvizje më agresive të Iranit rreth Lindjes së Mesme, ku mullahët janë tashmë të përfshirë në disa luftëra proksi dhe në lëshimin e raketave balistike që mund të godasin shënjestra në mbarë rajonin, por të tjerë vënë në dukje se Irani nuk mund të bëhet më agresiv se kaq.

BE e ka kaluar vitin e shkuar duke u përpjekur të bëjë bisedime me Iranin lidhur me rolin e tij në Siri e Jemen, si dhe me programin e tij balistik, por nuk ka patur sukses.