Nga Shahriar Kia
Prokurori i Përgjithshëm i Iranit ka thënë se lajmet “e rreme” rreth përmbytjeve që po shkatërrojnë aktualisht disa provinca në Iran do të konsiderohen si kërcënim sigurie dhe do të përfshijnë ndërhyrjen e policisë.
Mohammad Jafar Montazeri tha: “Në fazën e parë, burimet e publikimit të lajmeve të rreme duhet të identifikohen dhe pasi të identifikohen, do të merremi me ta.”
Ndërsa Ministri i Brendshëm Abdolreza Rahmani Fazli u ankua për raportet e mediave sociale ku dokumentohet paaftësia apo apatia e plotë e regjimit për sa i përket menaxhimit të situatës së përmbytjeve në provincën veriore Golestan.
Agjensia shtetërore e lajmeve ISNA e citoi atë duke thënë: “U kam thënë autoriteteve gjyqësore dhe prokurorit të merren me ata që qëndrojnë prapa publikimit të lajmeve të rreme dhe ata që përpiqen t’i ekzagjerojnë problemet në zonat e prekura nga përmbytja.”
Policia kibernetike e Iranit u ka dhënë jehonë këtyre kërcënimeve. Koloneli Ramin Pashaie, Zëvendësi Shoqëror i policisë kibernetike të Iranit ka thënë se “policia do të merret me ata që përhapin thashetheme në mediat sociale rreth përmbytjeve të fundit” pasi këto thashetheme vetëm sa do të “shkaktonin trazim të opinionit publik dhe paqes në shoqëri”.
Në ISNA, ai citohet të ketë thënë: “U kemi kërkuar të gjitha provincave të monitorojnë internetin dhe nëse gjejnë ndonjë thashethem apo përmbajtje që trazon opinionin publik apo paqen shoqërore, të marrin menjëherë masat e nevojshme kundër publikuesve sapo ata të identifikohen.”
Më pas ai i kërkoi publikut të mos u vinte vesh raporteve në mediat sociale dhe ta merrte informacionin vetëm nga agjensitë e lajmeve që drejtohen nga shteti.
Duke patur parasysh këtë, ia vlen të shohim se çfarë quan regjimi lajme “të rreme” dhe pse po përpiqet kaq fort ta bindë popullin iranian që të mos i besojë këtyre lajmeve.
Shumë dëshmitarë ndaj përmbytjeve shkatërrimtare që kanë pllakosur 25 provinca të Iranit, ku më rëndë nga të gjithë është goditur qyteti jugor Shiraz, kanë postuar nëpër media sociale foto dhe video të gjërave që kanë parë. Këto postime vërtetojnë se sa të rënda janë përmbytjet dhe dokumentojnë mungesën e përgjigjes së duhur nga mullahët.
Regjimi po e fsheh madje edhe numrin e vërtetë të viktimave. Mullahët pretendojnë se humbën jetën vetëm 19 njerëz kur u përmbyt Porta historike Quran e Shirazit, gjë që do të ishte prapë një humbje tragjike, por numri i vërtetë që është bërë i ditur nga banorët vendas është të paktën 150. Numri i viktimave shkon deri në 200 kur merr parasysh edhe qytetet e tjera.
Po pse do ta bënte Regjimi këtë? Sepse ka frikë se njerëzit e zemëruar do të nisnin protestat po ta dinin të vërtetën dhe Regjimi është i tmerruar se populli do ta përmbysë së shpejti.