Monday, September 9, 2024

Regjimi Iranian Ekzekuton Gruan e 100-të Gjatë Mandatit të Rouhani-t

Fatemeh R. është varur në Burgun Gohardasht të Karaj. Media shtetërore ka raportuar se 21-vjeçarja është ekzekutuar javën e shkuar, që do të thotë rreth datës 9 dhjetor 2019.

Regjimi i Iranit ka varur një grua me emrin Fatemeh R. javën e shkuar në Burgun Gohardasht (Rajai-Shahr) në Karaj, sipas mediave shtetërore. Vdekja e Fatemeh shënon ekzekutimin e gruas së 100-të që kur Hassan Rouhani mori detyrën si President i regjimit iranian.

Fatemeh ishte arrestuar në vitin 2015 në moshën 17 vjeçare, për vrasjen e supozuar të bashkëshortit të saj gjatë një grindjeje familjare, ka raportuar faqja shtetërore News.ir më 16 dhjetor 2019.  

Ajo ishte minorene në kohën e kryerjes së këtij krimi të supozuar, sipas Komitetit të Grave të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.

Kohët e fundit, regjimi iranian ka ekzekutuar një çift në një burg në Mashhad të Iranit veri-lindor. 

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ROKNA, një grua e identifikuar me emrin Maryam, 32 vjeç, është varur së bashku me të shoqin, Mehdi R., në mëngjesin e 8 dhjetorit në Burgun Qendror të Mashhad. 

Maryam ishte gruaja e 99-të e ekzekutuar gjatë mandatit të Hassan Rouhani-t si President i regjimit iranian, sipas Komitetit të Grave të NCRI-së.

Ajo ishte gruaja e dytë e ekzekutuar në Iran brenda një jave, sipas grupit të të drejtave njerëzore, Iran Human Rights Monitor. Sipas Iran HRM, Somayyeh Shahbazi Jahruyi është varur më 4 dhjetor 2019, në Burgun Sepidar në Ahvaz të Iranit jug-perëndimor.

 

Në komitetin e të drejtave njerëzore në Asemblenë e Përgjithshme të OKB-së, Javaid Rehman, Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran, tha se ka “informacion të besueshëm” se ka të paktën 90 kundërvajtës fëmijë që presin aktualisht dënimin me vdekje në Iran. 

“Irani ka ekzekutuar shtatë kundërvajtës fëmijë vitin e shkuar dhe dy deri tani këtë vit, edhe pse ligjet e të drejtave njerëzore e ndalojnë dhënien e dënimit me vdekje për këdo që është nën moshën 18 vjeç,” shtoi Rehman.  

Rehman shprehu gjithashtu shqetësim të thellë lidhur me përdorimin e përgjithshëm të dënimit me vdekje në Iran.