Sanksionet Europiane mbi Regjimin Iranian Dëmtojnë Agjendën e Lobeve

729

Nga Mahmoud Hakamian

Bashkimi Europian sapo ka shpallur se po sanksionon regjimin iranian për përfshirjen e tij në komplote terroriste në Europë. Kjo përfshin ngrirjen e aseteve që i përkasin disa zyrtarëve iranianë si dhe aseteve të individëve të lidhur me Ministrinë iraniane të Inteligjencës. Njëri nga këta zyrtarë është Assadollah Asadi – një diplomat iranian që u arrestua vitin e shkuar për pjesëmarrje në komplotin e parandaluar kundër Rezistencës Iraniane në tubimin e saj të përvitshëm në Paris.

Zyrtari tjetër iranian është Saeid Hashemi Moghadam – një anëtar i lartë i shërbimit iranian të inteligjencës.

Lajmi se Bashkimi Europian po vendos sanksione (ndonëse disi të buta po të marrësh parasysh seriozitetin e komploteve të parandaluara) është goxha goditje ndaj lobeve të Iranit që punojnë për ta bindur Europën që të krijojë një sistem alternativ pagesash në mënyrë që Europa t’u shmanget sanksioneve amerikane të cilat u rivendosën vitin e shkuar.

Në përgjigje ndaj sanksioneve, Irani ka kritikuar BE-në. Në një mesazh në Twitter, Mohammad Javad Zarif, ministri i jashtëm iranian, tha se sanksionet “nuk do ta çlirojnë Europën nga përgjegjësia për faktin se strehon terroristë”. Më tej, ai shpjegoi se e kishte fjalën për disa vende europiane, duke përfshirë Francën, Hollandën dhe Danimarkën, të cilat strehojnë anëtarë të MEK. MEK është alternativa kryesore – dhe e vetmja e arsyeshme – ndaj regjimit iranian dhe regjimi ka kohë që përpiqet ta shkatërrojë meqë ajo është kërcënimi më i madh ndaj sundimit klerikal.

E vërteta është se opozita ka një mbështetje të gjerë nëpër botë dhe është një burim i madh mbështetjeje për popullin e Iranit i cili ka protestuar e zhvilluar demonstrata anti-qeveritare për një vit.

Populli iranian i mirëpret sanksionet e forta ndaj Iranit pasi ato ushtrojnë presion mbi regjimin. Populli po ushtron presion të brendshëm ndërsa Shtetet e Bashkuara ushtrojnë presion ndërkombëtar. Në fund, regjimi do të shembet dhe populli do të mund t’i afrohet më shumë lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Edhe pse Bashkimi Europian duhet të përgëzohet për sanksionet që ka vënë, është e domosdoshme që të veprojë në mënyrë më të ashpër. Komplotet e parandaluara terroriste do të kishin rezultuar në shumë viktima e vdekje, kështu që arsyeja të thotë që duhet të vendosen sanksionet më të ashpra.

Shumë zyrtarë të BE-së kanë ngurruar ta ngrenë zërin kundër Iranit nga frika e rrezikimit të paktit bërthamor të 2015-ës me Iranin, por sjellja e tij luftarake duhet të konsiderohet si çështje më vete.

Përveç ndezjes e ushqyerjes së konflikteve në rajon, regjimi iranian ka keqtrajtuar edhe popullin e vet. Populli i Iranit – viktima e parë e regjimit – është shtypur me dhunë për vite të tëra. Njerëzit vuajnë nën sanksionet ekonomike që administrata Trump ka ri-imponuar, por e dinë se regjimi do të shembet më në fund.

Është kjo arsyeja pse BE duhet të tregohet më i ashpër. Sa më shpejt të shembet regjimi, aq më mirë do të jetë. Për popullin e Iranit, për pjesën tjetër të rajonit si dhe për pjesën tjetër të botës.