Regjimi Iranian ka kohë që përpiqet ta portretizojë lëvizjen e opozitës iraniane, Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), si një lloj grupi anësor politik me shumë pak mbështetje brenda vendit, atëherë pse po tregohen mullahët papritmas kaq të hapur për frikërat e tyre se MEK do ta drejtojë popullin që të përmbysë Regjimin?
Seyed Mohammad Saeedi, udhëheqësi i lutjeve të së premtes në Qom të Iranit qendror, bëri rishtazi një udhëtim për në Mashhad të Iranit veri-lindor, për të mbajtur një fjalim para turmës përpara se të fillonte shërbesa zyrtare e së premtes. Në këtë fjalim, Saeedi pohoi se Regjimi ka frikë nga MEK dhe mbështetja që ata kanë nga populli iranian, duke theksuar madje se Regjimi i sheh MEK-ët si një kërcënim ekzistencial.
Saeedi tha: “Lufta e shtetit kundër MEK-ëve dhe frontit global të armiqve tanë është një betejë ekzistenciale. Dhe ata duan të na heqin qafe.”
Vlen të përmendet se udhëheqësit e lutjeve të së premtes veprojnë si zëdhënës të Liderit Suprem të Iranit, Ali Khamenei. Pra këto nuk janë thjesht fjalë të një zyrtari të rangut të ulët apo spekulimet e një udhëheqësi fetar. Këto janë frikërat e mirëfillta të rrethit të brendshëm të Regjimit.
Ai e vazhdoi fjalimin duke pranuar se MEK ka popullaritet mes iranianëve, madje edhe mes bazës së fetarëve të klasës punëtore të Regjimit, dhe është në gjendje ta përhapë mesazhin e tyre për një Iran të lirë e demokratik përmes hapësirës kibernetike dhe njësive të rezistencës së MEK në çdo qytet të Iranit.
Saeedi tha: “Ky armik është përhapur kudo… Çfarë do të thotë kur them se lufta jonë kundër armikut është luftë për vetë ekzistencën tonë? Do të thotë që armiqtë tanë duan të na përmbysin. Çështjet bërthamore e të raketave, të drejtat e njeriut, përparimet tona të konsiderueshme, çështja e pranisë sonë në rajon dhe çdo gjë tjetër janë vetëm pretekste.”
Veprimtaritë në mbështetje të lëvizjes opozitare MEK janë shtuar në mbarë vendin gjatë muajve të shkuar. Shumë video të veprimtarive të tilla janë postuar në mediat sociale.
Gjithashtu në fjalimin e tij, Saeedi u përpoq t’i bindte zyrtarët e Regjimit që të mos i miratonin projektligjet kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, të cilat kërkohen në mënyrë që Irani të mbetet anëtar i Task Forcës për Veprim Financiar (FATF) – është aktualisht i pezulluar – pasi ai e sheh këtë gjë si një përpjekje nga ana e armikut për ta “çarmatosur” Iranin në këtë “luftë ekonomike”.