Iran: Protestat Vazhdojnë në Mbarë Vendin

400

Nga Shahriar Kia

Pakënaqësia e gjerë në mbarë Iranin vazhdon të jetë në plan të parë. Viti i shkuar shënoi protesta e demonstrata madhore anti-qeveritare dhe ky vit duket se do të vazhdojë në të njëjtën mënyrë.

Populli e ka bërë shumë të qartë se nuk do ta tolerojë korrupsionin dhe keqmenaxhimin e regjimit dhe është i vendosur që ndryshimi i regjimit të vijë shumë shpejt.

Gjatë fundjavës, protestuesit e zemëruar dolën nëpër rrugë në disa qytete të vendit, duke përfshirë punëtorët e hekurudhave në Ahvaz, të rinjtë në Teheran, fermerët në Isfahan, punëtorët e digës në Gachsaran dhe mësuesit në Karoun dhe Bavi.

Punëtorët e hekurudhave protestuan për shkak të mos marrjes së rrogave që nga tetori 2017, si dhe për shkak të kushteve jashtëzakonisht të këqija të punës. Dhjetëra punëtorë që nuk janë paguar u mblodhën përpara zyrave qendrore të Kayson Inc. në Ahvaz. Kayson Inc. është një nga kontraktuesit më të pasur në industrinë e ndërtimit.

Në kryeqytetin Teheran, të rinjtë organizuan një protestë duke u ulur në parlament, për shkak të kushteve të tmerrshme ekonomike dhe të punësimit. Shumë prej tyre mbanin banderola ku tregonin situatën e tyre personale apo një problem të veçantë që kishin.

Të rinjtë, si ata me arsim të lartë, ashtu edhe ata pa diploma, shpesh bien viktimë e papunësisë. Papunësia është një çështje shumë serioze dhe është një nga arsyet kryesore të protestave të vazhdueshme.

Në qytet pati edhe disa protesta të tjera, për shembull nga klientë që kishin blerë automjete dhe nuk i kishin marrë kurrë ato. Populli iranian qorton prodhuesit shtetërorë të automjeteve për praktikat e tyre të korruptuara.

Një gjë e tillë ndodhi kur dy nga prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve në vend – Saipa dhe Iran Khodro – u premtuan blerësve të parë një ulje çmimi. Pastaj, sapo u bënë kontratat, ata e shkelën premtimin dhe i detyruan blerësit të paguajnë çmimin e plotë.

Fermerët në një fshat të quajtur Oshkohoran janë mbledhur përpara zyrës së kryetarit të komunës për shkak të mungesës së ujit. Ata vuajnë pasojat e kanaleve të paefektshme të ujit dhe jetesa e tyre është në rrezik të madh.

Ky fshat i provincës Isfahan, ka patur probleme uji për vite të tëra. Në 2011-ën, shumë banorë të provincës protestuan për kushtet e ujit dhe këto protesta kanë vazhduar deri më sot.

Qeveria iraniane po i keqmenaxhon burimet ujore përmes politikave të shpërndarjes së ujit të cilat nuk janë të favorshme për popullin. Për vite të tëra, qeveria ka bërë premtime të rreme e i ka gënjyer njerëzit.

Në provincën Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad, një numër punëtorësh të digës protestuan për rrogat që u janë vonuar për një vit. Ata janë punësuar për të ndërtuar një digë dhe stacion energjie dhe autoritetet u kanë premtuar për muaj të tërë se do t’ua paguanin rrogat. Punëtorët ende presin dhe kanë zhvilluar një numër protestash.

Dhe së fundmi, mësuesit në provincën Khuzestan kanë protestuar për mos pagesën e bonuseve që u takojnë. Gjithashtu, mësuesit në provincën Sistan e Baluchistan kanë zhvilluar protesta lidhur me papunësinë. Disa protesta janë bërë të dhunshme për shkak të përplasjeve mes policisë e njerëzve.