Presidenti i regjimit iranian, Hassan Rouhani, përpiqet ta paraqesë veten si mbrojtës i të drejtave njerëzore por provat e vërteta e diskreditojnë këtë gjë, sipas shkencëtarit politik Dr. Majid Rafizadeh i cili ka shkruar rreth vdekjeve të dyshimta të të burgosurve politikë në burgjet e Iranit.
Javën e shkuar, i burgosuri politik Alireza Shirmohammadali u vra me thikë në Burgun Qendror të Teheranit të Madh, duke vdekur para se rojat të mbërrinin në vendngjarje.
Shirmohammadali, 21 vjeç, ishte në grevë urie për të protestuar kundër kushteve të burgut në kohën që vdiq, duke hedhur kështu dritë mbi një situatë të rëndësishme që regjimi dëshiron ta mbajë të fshehur, dhe duket se regjimi e ka orkestruar vrasjen e tij duke i hequr rojat nga godina, duke u dhënë ryshfet të burgosurve të tjerë që ta sulmonin, dhe duke ndërprerë linjat telefonike.
Në një letër, Shirmohammadali shkruante: “Nisëm grevë urie për shkak të mungesës së kushteve dhe kërcënimeve ndaj sigurisë personale brenda burgut… Siguria e jetës sonë nuk i shqetëson fare autoritetet e bugut… Dje, Reza Haghverdi, një oficer i burgut, na tha krejt direkt se greva jonë e urisë do të përfundojë me çertifikata vdekjeje… U kemi kërkuar shumë herë autoriteteve që t’i marrin në konsideratë kërkesat tona por ata nuk e kanë bërë këtë gjë.”
Shirmohammadali ishte arrestuar në korrik 2018 me akuza të mjegullta si “fyerje ndaj besimeve të shenjta fetare,” “fyerje ndaj liderit suprem” dhe “propagandë kundër shtetit” për disa komente që kishte postuar në mediat sociale. Këto akuza mbartin dënimin me vdekje në mënyrë që njerëzit të mos e kritikojnë Regjimin.
Sipas ligjit iranian, të burgosurit e kategorive të ndryshme supozohet të vihen në ambjente të ndara, pra të burgosurit politikë nuk mund të vihen së bashku me vrasësit, por kjo gjë nuk u zbatua për Shirmohammadali dhe ai nuk është i vetmi.
Gjatë protestave të gjera anti-regjim të vitit të shkuar, mijëra iranianë u arrestuan, duke përfshirë Vahid Heydari dhe Sina Ghanbari. Heydari, 22, dhe Ghanbari, 23, vdiqën pak kohë pas arrestimit, dhe autoritetet shpallën se të dy kishin vrarë veten. Regjimi nuk mundi të sillte prova të besueshme pse dy burrat do ta bënin këtë, por mullahët janë mësuar tashmë t’i maskojnë vdekjet e dyshimta si vetëvrasje.
Ata vazhdojnë ende të pretendojnë sikur ambientalisti iraniano-kanadez, Profesor Kavous Seyed-Emami ka vrarë veten pasi ishte arrestuar për “spiunazh”, kur në fakt ai monitoronte kafshë të rralla me lejen e regjimit.
Dhe këto janë vetëm disa nga vdekjet e raportuara nga Regjimi. Numri i vërtetë i vdekjeve ka mundësi të jetë shumë më i lartë.
Dr. Majid Rafizadeh shkruan: “Me pak fjalë, gjithnjë e më shumë njerëz po vriten në burgjet e Iranit. Kjo gjë duhet ta alarmojë komunitetin ndërkombëtar dhe sidomos Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, detyra e të cilit është t’i parandalojë këto mizori dhe të promovojë të drejtat njerëzore. Në vend të paqësimit të regjimit iranian, BE duhet gjithashtu t’i kërkojë llogari Teheranit.”