Pompeo Thotë se SHBA do të Veprojë për t’i Parandaluar Sulmet e Regjimit Iranian në Gjirin Persik

535

Shtetet e Bashkuara nuk duan të nisin luftë me regjimin iranian por do të ndërmarrin çdo veprim që të jetë i nevojshëm, duke përfshirë diplomacinë, për të garantuar lundrimin e sigurtë përmes rrugëve thelbësore detare në Lindjen e Mesme, tha Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo të dielën.

Tensionet SHBA-Iran janë rritur në vijim të akuzimit nga administrata amerikane se ka qenë Teherani që ka kryer sulmet e së enjtes së shkuar mbi dy cisterna nafte në Gjirin e Omanit, një rrugë thelbësore e transportit të naftës.

“Nuk duam luftë. Kemi bërë ç’kemi mundur për ta parandaluar këtë,” tha Pompeo në një intervistë me ‘Fox Neës Sunday’, duke shtuar: “Iranianët duhet ta kuptojnë shumë qartë që ne do të vazhdojmë të marrim masa për t’ia parandaluar Iranit sjelljet e këtij lloji.”

Pompeo, një ish-drejtor i Agjensisë Qendrore të Inteligjencës, e mbrojti gjithashtu konkluzionin e administratës se regjimi iranian qëndron prapa sulmit, duke thënë se ka prova të tjera përveç videos së publikuar javën e shkuar. “Komuniteti i inteligjencës ka shumë të dhëna, shumë prova. Bota do t’i shohë shumë prej tyre.”

Të shtunën, Arabia Saudite iu bashkua Amerikës në fajësimin e regjimit iranian për sulmet dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë masa të shpejta për ta siguruar ofertën e energjisë në Gjirin Persik.

Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin “çdo veprim të nevojshëm, diplomatik apo tjetërlloj” për të garantuar kalimin e sigurtë përmes rrugëve kryesore detare, pa dhënë detaje të mëtejshme. Sekretari i shtetit tha se SHBA po diskuton një përgjigje të mundshme ndërkombëtare, duke thënë se u kishte telefonuar disa zyrtarëve të huaj të shtunën lidhur me sulmet.

Ai përmendi Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Indonezinë si vende që mbështeten fort tek liria e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit. “Jam i bindur se kur ta shohin rrezikun, rrezikun e ekonomive të tyre, të popujve të tyre, dhe sjelljen skandaloze të Republikës Islamike të Iranit, do të na bashkohen në këtë gjë.”

Në një intervistë tjetër televizive me “Face the Nation,” të CBS, Pompeo e la hapur mundësinë e aksionit ushtarak nga ana e SHBA-së në rajon por refuzoi të diskutonte se ç’formë mund të marrë një veprim i tillë.

Reuters ka raportuar se disa republikanë konservatorë të Kongresit i kanë bërë thirrje të dielën administratës Trump që të marrë një qëndrim të rreptë.