Friday, March 29, 2024

Regjimi i Iranit Vazhdon Shkeljet e të Drejtave Njerëzore

Në Iran vazhdojnë shkeljet e të drejtave njerëzore me arrestime, ekzekutime dhe shtypje

Gjatë dy javëve të para të shkurtit, raportet nga Irani konfirmojnë vazhdimin e shkeljeve të të drejtave njerëzore dhe shtypjen e lirive themelore nga regjimi.

Më 9 shkurt, një i burgosur politik 25-vjeçar, Mehran Alipoor, vdiq në një spital të qytetit Isfahan nga trauma abdominale dhe të kafkës e hundës. Ai ishte arrestuar mes mijëra të tjerëve gjatë protestave mbarëkombëtare të Iranit në mes të nëntorit, dhe e kishin torturuar rëndë që atëherë. Siç kanë raportuar Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe grupe të të drejtave të njeriut si Iran Human Rights Monitor (Iran HRM), forcat e sigurisë së regjimit iranian kanë përdorur forma të ndryshme torture kundër të arrestuarve gjatë protestave të Iranit. Këto tortura përfshijnë rrahje, goditje me kamxhik, përvëlim me ujë të nxehtë dhe ngacmim seksual. Gjatë protestave mbarëkombëtare të Iranit janë arrestuar mbi 12,000 njerëz. Mijëra të arrestuar janë burgosur në Burgun famëkeq të Teheranit të Madh, që njihet ndryshe si burgu Fashafoye. 

View image on Twitter

Në këtë burg mungojnë kushtet më minimale, dhe forcat e sigurisë përdorin torturën për t’ua thyer guximin të burgosurve. Raportet e reja tregojnë se, për shkak të mungesës së higjienës, mes të burgosurve është përhapur tuberkulozi, dhe mbi 40 prej tyre janë infektuar. Megjithatë, autoritetet e burgut nuk pranojnë të marrin masat e nevojshme.  

Më 12 shkurt, Iran HRM raportoi se dy të burgosur ishin varur në mëngjes në burgun Adelabad në Shiraz. Këta të burgosur janë identifikuar si Hadi Mahi dhe Sadeq Akbarpour. Ata ishin arrestuar në vitin 2016 dhe më pas ishin dënuar me vdekje.  

Sipas NCRI-së, njëkohësisht me përvjetorin e revolucionit anti-monarkik dhe përpara zgjedhjeve false parlamentare të regjimit, forcat e sigurisë kanë arrestuar përsëri në mënyrë masive ish të burgosur politikë dhe mbështetës të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) në Teheran e qytete të tjera.  

Sipas Iran HRM, tre mësues të tjerë aktivistë, anëtarë të bordit drejtues të Unionit të Mësuesve në provincën Qazvin, janë urdhëruar të paguajnë gjoba. 

Ndërkohë që në Iran vazhdojnë shkeljet e të drejtave njerëzore, ka një nevojë urgjente që komuniteti ndërkombëtar të marrë masa të menjëhershme duke dërguar në Iran një mision të gjetjes së fakteve, sidomos në burgjet iraniane, në mënyrë që të parandalohen abuzime të mëtejshme të të drejtave njerëzore nga regjimi iranian kundër të burgosurve politikë. Vendet europiane duhet gjithashtu t’i vënën marrëdhënies së tyre me regjimin kushtin që ai t’i ndalojë menjëherë ekzekutimet dhe dhunën.