Gjatë verës së vitit 1988, regjimi iranian ekzekutoi më shumë se 30,000 të burgosur politikë, shumica prej të cilëve ishin anëtarë ose bashkëpunëtorë të Organizatës Popullore Mojahedin të Iranit (PMOI / MEK), opozita kryesore. Viktimat u ekzekutuan në grupe dhe trupat e tyre u vunë në varre masive të mëdha dhe të pashënuara. Këto ngjarje të tmerrshme u bënë të njohura si masakra e vitit 1988.
Që atëherë, familjet kanë kërkuar më kot varret e të afërmve të tyre. Në atë kohë, familjeve iu tha se të afërmit e tyre ishin ekzekutuar, por nuk iu dha asnjë informacion tjetër. Familjet nuk i kanë parë kurrë trupat dhe nuk u është thënë vendndodhja e varrit të të afërmve të tyre.
Shumica e njerëzve që u ekzekutuan gjatë masakrës së vitit 1988 u ekzekutuan pasi kishin vuajtur dënime të padrejta me burg për pjesëmarrje në veprimtari paqësore disidence.
Vazhdimisht është bërë thirrje për drejtësi për viktimat e masakrës në vitet e fundit dhe disa organizata ndërkombëtare kanë bërë fushata për t’i çuar përgjegjësit para drejtësisë.
Amnesty International sapo ka zbuluar disa informacione të reja që nxisin thirrjet për drejtësi. Analiza e fotografive, videove dhe imazheve satelitore dëshmon se autoritetet në Iran po bëjnë përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar provat.
Amnesty International në bashkëpunim me grupet e të Drejtave të Njeriut, ka hartuar një raport me titull “Mbulim kriminal: Irani shkatërron varret masive të viktimave të vrasjeve të vitit 1988”.
Autoritetet iraniane po ndërtojnë, rrafshojnë me buldozierë, shkatërrojnë dhe hedhin plehra në vendet e varreve masive.
Amnesty International tha: “Këto taktika po shkatërrojnë dëshmi të rëndësishme që mund të përdoren për të provuar të vërtetën në lidhje me shkallën e krimeve dhe për të siguruar drejtësi dhe dëmshpërblime për viktimat dhe familjet e tyre. Këto vende janë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga agjencitë e sigurisë, gjë që sugjeron se organet gjyqësore, të inteligjencës dhe të sigurisë janë të përfshira në proceset vendimmarrëse që lidhen me përdhosjen dhe shkatërrimin e tyre “.
Raporti thotë se zonat që po shkatërrohen janë “skena krimi” dhe duhet të mbrohen “derisa të kryhen hetimet e duhura dhe të pavarura mjeko-ligjore për të identifikuar eshtrat dhe rrethanat mbi çka u ndodhi viktimave”.
Autorët e masakrës së vitit 1988 janë ngritur në pozitë në udhëheqjen në vend dhe asnjë zyrtar i vetëm nuk është hetuar. Për dekada me radhë, familjet e viktimave kanë jetuar me padrejtësi, kështu që ky mbulim është një goditje e madhe për ta.
Në raport, Amnesty International thekson se fshehja e fatit dhe e vendndodhjes së viktimave përbën “zhdukje me forcë” – një krim sipas ligjit ndërkombëtar.
Eshtë thelbësore që autoritetet iraniane të ndalojnë modifikimin e mëtejshëm të çdo vendi të konfirmuar ose të dyshuar si varr masiv. Në vend që të mbulojë krimet, është përgjegjësi e qeverisë iraniane t’i hetojë ato dhe të sigurojë që përgjegjësit të çohen para drejtësisë. Është veçanërisht mizore për familjet e viktimave të shohin se disa nga zyrtarët që kanë qenë përgjegjës për urdhërin dhe ekzekutimin e të burgosurve politikë janë ende sot në pushtet.