Raportuesi Special i OKB-së Është i Shqetësuar për Ekzekutimet e Minorenëve në Iran

349

 Raportuesi Special i OKB-së mbi Situatën e të Drejtave të Njeriut në Iran ka ngritur shqetësime në lidhje me shkeljet e të drejtave njerëzore në Iran, veçanërisht për përdorimin e gjerë të dënimit me vdekje kundër minorenëve, në raportin e tij të fundit për Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Javaid Rehman, një akademik ligjor britaniko-pakistanez dhe Profesor i Ligjit Islamik dhe Ligjit Ndërkombëtar, shprehu keqardhje më 27 shkurt për faktin që fëmijë të moshave që shkojnë madje deri në nëntë vjeç mund të ekzekutohen në Iran dhe vuri në dukje se të paktën 33 minorenë janë ekzekutuar që kur supozimisht i moderuari Hassan Rouhani u bë president në vitin 2013.

Ai e nxiti Regjimin Iranian që “ta ndryshojë urgjentisht legjislacionin në mënyrë që të ndalojë ekzekutimin e personave që kanë kryer [një krim] nën moshën 18 vjeç duke qenë fëmijë, si dhe ta ndryshojë urgjentisht legjislacionin në mënyrë që t’i reduktojë të gjitha dënimet ekzistuese për minorenët e dënuar me vdekje”.

Ai i kërkoi gjithashtu Iranit që t’i japër Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe Raportuesit Special një listë të të gjithë shkelësve minorenë të ligjit të dënuar aktualisht me vdekje.

Ai vuri gjithashtu në dukje se dënimi me vdekje duhet të zbatohet vetëm për “krimet më të rënda”, që mendohet gjerësisht se i referohen vrasjes së paramenduar, sidomos pasi ligji ndërkombëtar i ndalon ekzekutimet për krimet jo të dhunshme.

Gjatë muajve të fundit në Iran, një numër gjithnjë e më i madh rastesh të krimeve financiare kanë rezultuar në dënim me vdekje për të akuzuarin. Kjo është një përpjekje e mullahëve për t’u dukur sikur po merren me krizat e vazhduara ekonomike që kanë çuar në protesta masive.

Rehman tha gjithashtu se një përqindje shumë e madhe personash të ekzekutuar apo të burgosur në Iran vijnë nga minoritetet etnike dhe fetare, duke përfshirë iraniano-kurdin H. Abdollahpour, dënimi i të cilit u miratua nga Gjykata Supreme në tetor pavarësisht raporteve se e kishin torturuar në burg dhe nuk e kishin lejuar të merrte një avokat të zgjedhur nga vetë ai.

Ai ngriti shqetësime gjithashtu edhe për burgosjen e personave me shtetësi të dyfishtë, shtypjen ndaj minoriteteve etnike e fetare, si dhe për shtypjen e të drejtave të punëtorëve.

Rehman tha se Irani duhet:

  • T’i japë fund dënimit me vdekje për të gjitha krimet, përveç atyre më të rënda
  • T’i mbrojë të burgosurit nga tortura dhe keqtrajtimi
  • T’u lejojë të pandehurve të marrin një avokat të zgjedhur nga vetë ata
  • T’i ndalojë të gjitha format e diskriminimit kundër minoriteteve fetare dhe etnike
  • T’i japë fund persekutimit të minoriteteve fetare dhe etnike

Kjo nuk është ndonjë gjë e re, sigurisht, dhe Regjimi Iranian i ka bërë të gjitha këto e shumë më tepër për dekada të tëra. Regjimi është trimëruar madje nga politika e paqësimit e Europës, që do të thotë se Europa nuk ka vepruar në lidhje me shkeljet e mëparshme të të drejtave. Europa duhet t’i japë fund kësaj politike dhe ta vërë Regjimin përpara përgjegjësisë.