Sunday, September 8, 2024

Raporti Vjetor për 2018-ën i Monitoruesit të të Drejtave Njerëzore në Iran

Përvjetori i 70-të i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut do të festohet në Ditën e të Drejtave të Njeriut këtë vit. Ky dokument shpalli të drejtat e patjetërsueshme që i përkasin gjithsecilit si qenie njerëzore. Në kontrast me këtë, Monitoruesi i të Drejtave Njerëzore në Iran ka publikuar raportin e tij të përvitshëm për 2018-ën.

Më poshtë vijojnë disa nga të dhënat e mbledhura rreth situatës në Iran. Shifrat e cituara në këtë raport janë marrë nga burime zyrtare, dhe nga burime të besueshme jo-qeveritare brenda Iranit, të cilat kanë rrezikuar jetën për këtë informacion.

Raporti pretendon se ka patur të paktën 285 ekzekutime që nga dhjetori i 2017-ës, duke përfshirë ekzekutimin e katër grave dhe gjashtë individëve të dënuar me vdekje për krime që duket se i kanë kryer në moshë të mitur. Gjatë protestave të janarit, të cilat vazhduan gjatë tërë muajit, raporti llogarit se janë bërë 8,000 arrestime arbitrare, janë vrarë të paktën 58 persona, dhe 12 protestues të burgosur janë vrarë nën torturë.

Monitoruesi i të Drejtave të Njeriut në Iran nxit komunitetin ndërkombëtar që ta vërë regjimin përpara përgjegjësisë për krimet e tij kundër njerëzimit, dhe t’i qëndrojë përkrah popullit iranian në luftën e tij për të fituar të drejtat njerëzore bazë.

Kohët e fundit, Gjykata në Arak dënoi 15 punëtorë të HEPCO me 74 goditje me kamzhik, një deri në dy vite burg, dhe dënime të pezulluara për pesë vjet për protestën e tyre në qershor, protestë që u bë ndaj mos-pagesës së rrogave e benefiteve të tyre, dhe ndaj mos-përmbushjes së premtimeve nga ana e qeverisë. Ata u akuzuan me “prishje të rendit publik” dhe “përhapje të propagandës kundër regjimit.”

Greva mbarëkombëtare e shoferëve të kamionëve, e cila u bë për shkak të çmimeve të larta dhe mos-pagesës së rrogave, bëri që një zyrtar i gjykatës t’i paralajmëronte grevistët për “penalitete të rënda” nëse do t’i vazhdonin protestat, sipas mediave shtetërore. Transmetuesi shtetëror IRIB ka raportuar se prokurori i përgjithshëm Mohammad Jafar Montazeri ka thënë se shoferët protestues mund të përballen me dënimin me vdekje bazuar në ligjet e rrepta kundër vjedhjeve në autostradë. Të paktën 264 shoferë grevistë janë arrestuar.

Gjithashtu, një numër ndëshkimesh mizore janë dhënë në vitin 2018, duke përfshirë prerje të dorës dhe goditje me kamzhik.

  • Të paktën 110 njerëz kanë marrë dënime me kamzhik
  • Është raportuar të paktën një rast i prerjes së dorës
  • Të paktën 11 persona janë goditur me kamzhik

Supozohet se gjykatat iraniane kanë përdorur rrëfimet e marra nën torturë si dëshmi në gjyq, përfshirë në rastet që kanë përfunduar me dënime me vdekje.

Në qershor, gjykata e Iranit miratoi një listë prej 20 avokatësh për të përfaqësuar njerëzit e akuzuar për krime ndaj sigurisë kombëtare —shumë prej tyre aktivistë të të drejtave të njeriut — në gjyqet e Teheranit gjatë fazës investigative, pavarësisht faktit se mbi 20,000 avokatë janë të regjistruar në shoqatën përfaqësuese të këtij profesioni.

Gjyqet iraniane kontrollohen nga Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei. Ka shqetësime se gjykatësit, veçanërisht ata që drejtojnë Gjyqet Revolucionare, caktohen mbi bazën e opinioneve e përkatësive të tyre politike.

Irani kryeson në botë si ekzekutues për kapita, me shumë varje që bëhen në publik.

  • Të paktën 285 persona janë ekzekutuar
  • Të paktën 11 persona janë ekzekutuar në publik
  • Të paktën 10 të burgosur politikë janë ekzekutuar
  • Të paktën 4 gra janë ekzekutuar
  • Të paktën 6 individë janë ekzekutuar për krime që supozohet se i kanë kryer në moshë të mitur.

Minoritetet fetare vazhdojnë të vuajnë nga sulme sistematike, sidomos Baha’i dhe të krishterë të konvertuar nga Islami. Gjithashtu, minoritetet etnike, përfshirë kurdët, balukët, azerët, lorët dhe arabët janë shtypur për vite të tëra nga autoritetet iraniane.

Në ligj dhe në praktikë, gratë përballen me diskriminim në aksesin ndaj divorcit, punësimit, barazisë në trashëgimi e në politikë, si dhe në ligjin të familjes dhe atë penal.

Irani renditet në vendin e 140-të nga 144 shtete në raportin e Pabarazisë Gjinore Globale 2017. Pjesëmarrja e grave në Këshillet e Qyteteve llogaritet të jetë 1.7 për qind. “Gratë pothuajse zhduken në pozicionet e larta menaxhuese.” Gratë ishin viktimat e para të ekonomisë së falimentuar iraniane, pasi u vunë kufizime të shumta mbi punësimin dhe arsimimin e tyre.

Raporti adreson gjithashtu sistemin e përçmuar të burgjeve në Iran.

Përshkruhen kushtet çnjerëzore e johigjienike në Burgun famëkeq Evin, të tilla si mbipopullimi, mungesa e ujit të ngrohtë, ventilimi i keq, dhe prania e jashtëzakonisht shumë furrtareve e minjve. Atje ka mungesë shtretërish, që i detyron të burgosurit të flenë mbi dysheme gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Ushqimet raportohet të jenë “pothuajse të pangrënshme.”

Në raport figuron gjithashtu Burgu Raja’i Shahr, ku mbahen kriminelë të rrezikshëm, dhe ku përplasjet midis të burgosurve janë incidente të zakonshme. Ka raste që kriminelë të dhunshëm mbahen në të njëjtën qeli me të burgosurit politikë. Për shkak të problemeve me ujin, të burgosurit mund ta përdorin banjon vetëm për një numër të kufizuar orësh. Ujë të ngrohtë ka vetëm për një orë çdo ditë, kështu që shumë të burgosur detyrohen të lahen me ujë të ftohtë. Raportohet gjithashtu se të burgosurve u mohohet kujdesi mjekësor. Gjatë vizitave, të burgosurit dhe familjet e tyre trajtohen në mënyrë të turpshme përmes kërkimeve trupore invazive e abuzive.