Friday, October 4, 2024

Raport Tronditës nga Amnesty International: Krimi i Regjimit Iranian Kundër Njerezimit

Më 4 dhjetor 2018, Amnesty International publikoi  një raport tronditës për masakrën e të burgosurve politikë në vitin 1988 në Iran, të titulluar:

Irani kryen krime kundër njerëzimit duke fshehur fatin e mijëra disidentëve politikë të vrarë

Më poshtë vijojnë fragmente nga ky raport:

Duke fshehur fatin dhe vendndodhjen e mijëra disidentëve politikë të cilët u zhdukën me forcë dhe u ekzekutuan në fshehtësi në burg 30 vjet më parë, autoritetet iraniane vazhdojnë të kryejnë krime kundër njerëzimit, thotë Amnesty International në një raport dënues të publikuar sot. Raporti “Sekrete të ngjyera në gjak: Pse masakrat e Iranit nëpër burgje në vitin 1988 janë krime në vazhdimësi kundër njerëzimit” i bën thirrje OKB-së që të nisë një hetim të pavarur në lidhje me zhdukjet e detyruara masive dhe vrasjet jashtë-gjyqësore të cilat kanë mbetur pa u ndëshkuar për tre dekada.

  • Mijëra të zhdukur me forcë e të ekzekutuar në mënyrë jashtë-gjyqësore në burg në vitin 1988
  • Fushatë e vazhdueshme për të mohuar e shtrembëruar të vërtetën dhe për të abuzuar me familjet e viktimave
  • OKB duhet të nisë një hetim të pavarur në lidhje me krimet kundër njerëzimit
  • Jepen emrat e figurave të profilit të lartë të akuzuara për përfshirje në masakrat e vitit 1988 në burgje

Duke fshehur fatin dhe vendndodhjen e mijëra disidentëve politikë të cilët u zhdukën me forcë e u ekzekutuan në fshehtësi nëpër burgje 30 vjet më parë, autoritetet iraniane vazhdojnë të kryejnë krime kundër njerëzimit, thotë Amnesty International.

Raporti “Sekrete të ngjyera në gjak: Pse masakrat e Iranit nëpër burgje në vitin 1988 janë krime në vazhdimësi kundër njerëzimit” i bën thirrje OKB-së që të nisë një hetim të pavarur në lidhje me zhdukjet e detyruara masive dhe vrasjet jashtë-gjyqësore të cilat kanë mbetur pa u ndëshkuar për tre dekada.

“Këto sekrete të ngjyera në gjak nga e shkuara e Iranit vazhdojnë ta trazojnë vendin edhe në ditët e sotme. Ky raport shpleks rrjetën e mohimeve e shtrembërimeve që autoritetet iraniane kanë kryer gjatë 30 viteve, si brenda vendit, ashtu edhe ndërkombëtarisht, për të fshehur të vërtetën e zhdukjes së detyruar dhe vrasjes sistematike që ata i kanë bërë mijëra disidentëve politikë brenda pak javëve midis fundit të korrikut dhe fillimit të shtatorit 1988,” thotë Philip Luther, Drejtor i Kërkimit dhe Mbrojtjes për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Amnesty International.

“Fakti që deri më sot, autoritetet iraniane refuzojnë t’i pranojnë këto vrasje masive, t’u tregojnë familjarëve se kur, si dhe pse të dashurit e tyre janë vrarë, si dhe t’i identifikojë e t’ua kthejë trupat e tyre, tregon se zhdukjet e detyruara vazhdojnë edhe sot. Kjo gjë ka shkaktuar vuajtje torturuese për familjet e viktimave. Derisa autoritetet e Iranit ta pranojnë e ta zbardhin publikisht fatin dhe vendndodhjen e viktimave, këto krime kundër njerëzimit do të jenë në vazhdim e sipër.”

Ky raport shpleks rrjetën e mohimeve e shtrembërimeve që autoritetet iraniane kanë kryer gjatë 30 viteve, si brenda vendit, ashtu edhe ndërkombëtarisht, për të fshehur të vërtetën e zhdukjes së detyruar dhe vrasjes sistematike që ata i kanë bërë mijëra disidentëve politikë brenda vetëm pak javëve.

Për 30 vjet, familjeve të viktimave u është mohuar e drejta për të varrosur të dashurit e tyre e për të vajtuar humbjen. Ata që guxojnë të kërkojnë të vërtetën e drejtësinë përballen vazhdimisht me ngacmim, frikësim, e arrestim arbitrar, si dhe me torturë e keqtrajtime të tjera. Përdhosja dhe shkatërrimi i zonave të varreve masive ka shkaktuar edhe më shumë vuajtje.

Ndërkohë, individët përgjejgës për këto krime kundër njerëzimit i janë shmangur drejtësisë dhe në disa raste, të përfshirët kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë pozicione pushteti në Iran sot. Kohët e fundit, pas daljes së dëshmive të mëtejshme për atë që ka ndodhur, këto vrasje masive janë kremtuar në vend dhe të përfshirët janë lavdëruar si heronj.

“Në vend të vazhdimit të sulmeve mizore kundër familjeve, autoritetet iraniane duhet të garantojnë të drejtën e tyre për të vërtetën, drejtësi dhe dëmshpërblim – duke përfshirë rikthimin e trupave të viktimave dhe identifikimin e mbetjeve duke lejuar zhvarrosjen profesionale të varreve masive dhe analizën e ADN-së,” thotë Philip Luther.

Për këtë raport, Amnesty International ka mbledhur dëshmi nga më shumë se 100 familjarë dhe të mbijetuar në të gjithë Iranin dhe ka shqyrtuar qindra dokumenta nga arkivat historike të vetë organizatës; raporte, kujtime e materiale të tjera të shkruara nga të mbijetuarit dhe nga grupet iraniane të të drejtave njerëzore; si dhe deklarata nga OKB dhe autoritetet iraniane. Ka verifikuar gjithashtu lista me emrat e mijëra viktimave dhe ka shqyrtuar certifikatat e vdekjes së viktimave, shumë prej të cilave nuk japin shpjegime ose citojnë “shkaqe natyrore” si shkaku i vdekjes. Studimi i bërë nga organizata tregon shkallën kombëtare dhe përhapjen tronditëse të vrasjeve masive, duke identifikuar të paktën 32 qytete në mbarë Iranin ku kanë ndodhur këto barbarizma.

Masakrat e vitit 1988 në burgje

Raporti përshkruan se si, në fund të korrikut 1988, autoritetet i mbyllën burgjet në mbarë vendin dhe pezulluan vizitat familjare pa dhënë asnjë arsye. Gjatë javëve në vijim të paktën 5,000 disidentë politikë u ekzekutuan në mënyrë jashtë-gjyqësore në një përpjekje të koordinuar për të eliminuar opozitën politike. Kjo gjë u bë nën urdhrat e të paktën një fatwa sekrete të nxjerrë nga Udhëheqësi i atëhershëm Suprem i Iranit, Rouhollah Khomeini….

Në vend të vazhdimit të sulmeve mizore kundër familjeve, autoritetet iraniane duhet të garantojnë të drejtën e tyre për të vërtetën, drejtësi dhe dëmshpërblim – duke përfshirë rikthimin e trupave të viktimave dhe identifikimin e mbetjeve.

Nëpër Iran, të burgosurit mbildheshin në grupe, u lidheshin sytë dhe silleshin përpara komiteteve të përbëra nga zyrtarë të drejtësisë, të prokurorisë, të inteligjencës e të burgjeve. Këto “komisione të vdekjes” nuk kishin asnjë ngjashmëri me gjyqin dhe seancat e tyre ishin të shkurtra e arbitrare deri në ekstrem. Nuk kishte asnjë mundësi për të apeluar në asnjë kohë.

Të burgosurve u bëheshin pyetje të tilla si: a ishin të përgatitur të pendoheshin për opinionet e tyre politike, të denonconin publikisht grupet e tyre politike dhe të deklaronin besnikëri ndaj Republikës Islamike. Disave u bëheshin pyetje mizore si: a ishin të gatshëm të ecnin përmes një fushe të minuar për të ndihmuar ushtrinë apo të merrnin pjesë në skuadra pushkatimi.

Nuk iu tha asnjëherë se përgjigjet që jepnin mund t’i dënonin me vdekje. Disa mendonin se ishin përpara një komiteti faljeje. Shpesh, e zbulonin se do të ekzekutoheshin vetëm pak minuta përpara se t’i rreshtonin para një skuadre pushkatimi apo përpara se t’u vihej litari rreth qafës.

Shumica e viktimave ishin në procesin e vuajtjes së dënimit me burg të dhënë vite më parë. Disa ishin mbajtur në burg për vite me radhë pa gjyq, ndërsa te tjere i kishin përfunduar dënimet e tyre dhe duhej të liroheshin. Shumica ishin burgosur për shkak të opinioneve të tyre politike dhe veprimtarive paqësore si shpërndarja e fletushkave dhe pjesëmarrja në demonstrata.

Shumica e viktimave ishin të lidhur me PMOI-në, por janë ekzekutuar gjithashtu qindra të burgosur të lidhur me organizata politike të majta dhe grupe opozitare kurde.

Figurat kryesore të përfshira në vrasje

Shumë prej zyrtarëve që kanë marrë pjesë në “komisionet e vdekjes” në vitin 1988 kanë mbajtur, dhe në disa raste vazhdojnë të mbajnë, pozicione pushteti në Iran sot. Në veçanti, raporti rendit dëshmi që tregojnë për pjesëmarrjen e zyrtarëve të mëposhtëm në “komisionet e vdekjes”:

  • Alireza Avaei, ministri aktual i drejtësisë në Iran, ka qenë prokuror i përgjithshëm i Dezful në provincën Khuzestan dhe kishte detyrën e pjesëmarrjes në “komisionin e vdekjes” në atë qytet.
  • Hossein Ali Nayyeri, i cili vepronte si gjykatës Shari’a në “komisionin e vdekjes” së Teheranit, është sot kreu i Gjyqit Suprem Disiplinor për Gjykatësit.
  • Ebrahim Raisi, zëvendës prokurori i përgjithshëm i Teheranit në vitin 1988 dhe anëtar i “komisionit të vdekjes” së Teheranit, kandidoi për presidencën në vitin 2017 dhe ka mbajtur disa pozicione të larta, si për shembull, prokuror i përgjithshëm i vendit deri në vitin 2016.
  • Mostafa Pour Mohammadi, i cili ka shërbyer si ministër i drejtësisë midis viteve 2013 e 2017, përfaqësonte ministrinë e inteligjencës në “komisionin e vdekjes” së Teheranit. Në gusht 2016, ai u citua duke u mburrur për rolin e tij, duke thënë, “Jemi krenarë që kemi përmbushur urdhrin e Zotit për sa i përket [PMOI-së]”, dhe deklaroi hapur se nuk kishte “ndenjur pa gjumë gjithë këto vite” për shkak të vrasjeve.
  • Mohammad Hossein Ahmadi, i cili ka marrë pjesë në “komisionin e vdekjes” së Khuzestanit, është aktualisht anëtar i Asemblesë së Ekspertëve, një trup kushtetues që ka fuqinë të caktojë apo të heqë Udhëheqësin Suprem të Iranit.

Në gusht 2016, doli një regjistrim audio i një mbledhjeje të gushtit 1988 në të cilën, disa nga zyrtarët kryesorë të “komisionit të vdekjes” së Teheranit dëgjohen duke diskutuar për punën tronditëse të këtij komisioni. Në përgjigje ndaj publicitetit të ndezur nga kjo zbardhje, liderët iranianë i kanë kremtuar në mënyrë të hapur ngjarjet e 1988-ës, duke e lavdëruar spastrimin e duke i përshkruar përgjegjësit si të denjë për të marrë “medalje nderi”.

Shtrembërimi grotesk i së vërtetës për këto krime të urryera, së bashku me mungesën e qartë të keqardhjes të shfaqur nga ata që i kanë duart me gjak, është i neveritshëm.

Këto deklarata ndjekin një fushatë tre-dekadëshe keqinformimi, në të cilën autoritetet e kanë minimizuar shkallën e vrasjeve dhe i kanë denigruar viktimat si “ca terroristë”.

“Shtrembërimi grotesk i së vërtetës për këto krime të urryera, së bashku me mungesën e qartë të keqardhjes të shfaqur nga ata që i kanë duart me gjak, është i neveritshëm. Të gjithë individët e përfshirë në kryerjen dhe fshehjen e këtyre krimeve duhet të sillen para drejtësisë në gjyqe të drejta të cilat përjashtojnë dënimin me vdekje,” tha Philip Luther.

Nevoja për aksion ndërkombëtar

Familjet dhe të mbijetuarit janë lënë në baltë nga OKB dhe komuniteti ndërkombëtar. Mungesa e dënimit nga Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në atë kohë dhe mos-referimi i situatës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së tek Këshilli i Sigurisë i ka trimëruar autoritetet e Iranit për të vazhduar të mohojnë të vërtetën e të ushtrojnë torturë e keqtrajtime të tjera mbi familjet e viktimave.

“Dështimi i turpshëm i OKB-së e komunitetit ndërkombëtar në ndjekjen e së vërtetës dhe drejtësisë për mizoritë e kryera nga autoritetet iraniane ka patur pasoja katastrofike jo vetëm për të mbijetuarit dhe familjet e viktimave, por edhe për sundimin e ligjit dhe respektin për të drejtat njerëzore në vend. Autoritetet e Iranit nuk duhet të lejohen më ta mbrojnë veten nga përgjegjësia për krimet e tyre kundër njerëzimit,” tha Philip Luther.

“Nisur nga mungesa e perspektivës për drejtësi për viktimat brenda Iranit, është edhe më thelbësore që OKB të krijojë një mekanizëm ndërkombëtar të pavarur, të paanshëm dhe të efektshëm për të ndihmuar në sjelljen përpara drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për këto krime të urryera.”

Shënim: PMOI është shkurtimi për Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit