Maryam Rajavi i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, dhe Komisioneres së Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që ta dënojnë regjimin klerikal për krimin e fshehjes së vazhduar të fakteve lidhur me përhapjen e Koronavirusit
Në një fjalim televiziv drejtuar popullit iranian, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), shprehu ngushëllimet e saj për familjet që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, dhe ofroi lutjet e saj për shërimin e shpejtë të personave që kanë marrë virusin.
Znj. Rajavi shprehu gjithashtu respekt për mjekët e infermierët vetëmohues që kanë humbur jetën gjatë përkujdesjes për pacientët me Koronavirus.
Ajo theksoi se, me urdhër të liderit suprem Ali Khamenei, regjimi e ka mbajtur publikun të painformuar lidhur me përhapjen e Koronavirusit pasi nuk donte që kjo të ndikonte tek pjesëmarrja e popullit në përvjetorin e revolucionit të 1979-ës më 11 shkurt, dhe në maskaradën e zgjedhjeve parlamentare. Në ditët në vijim, ai tha paturpësisht se të tjerë e kishin përdorur këtë sëmundje si justifikim për të penguar zgjedhjet. Ai pretendoi gjithashtu se virusi nuk është “ndonjë problem i madh” dhe se regjimi i tij ka qenë transparent me publikun që në fillim.
Znj. Rajavi shtoi se regjimi po vazhdon me mashtrime edhe tani. IRGC, Ministria e Inteligjencës dhe agjenci të tjera represive po bëjnë ç’të jetë e mundur për të mos lejuar publikimin e numrit të vërtetë të viktimave dhe të të infektuarve. Shkalla e mizorisë dhe kriminalitetit të teokracisë në pushtet duket fare qartë në lënien pa mbrojtje të qindra mijëra të burgosurve përballë këtij virusi vdekjeprurës.
Presidentja e zgjedhur e NCRI-së theksoi se mullahët jo vetëm që kanë vënë në rrezik jetët e popullit të Iranit por e kanë kthyer gjithashtu vendin në një epiqendër për transmetimin e virusit në shumë pjesë të tjera të botës. Kjo është pasoja e sjelljes luftënxitëse të mullahëve dhe eksportit të terrorizmit që ka për qëllim ta ruajë sundimin e tyre të turpshëm. Ajo shtoi se sjellja kriminale e mullahëve në incidentin e Koronavirusit është ana tjetër e medaljes e masakrës së madhe të protestuesve gjatë kryengritjes në nëntor 2019. Kur sundimi i tyre është në rrezik, ata nuk kanë mëshirë për askënd, tha ajo.
Znj. Rajavi shtoi se beteja e popullit iranian kundër Koronavirusit është pjesë e pandarë e luftës së tij kundër regjimit çnjerëzor klerikal. Ne vetë duhet të ngrihemi për të mbrojtur interesat e popullit iranian dhe ta zgjerojmë deri në maksimum zemërimin, protestat dhe grevat tona kundër regjimit, theksoi ajo.
Burimet mjekësore e të kujdesit shëndetësor duhet të hiqen nga monopoli i IRGC-së dhe agjencive të lidhura me Khamenei-n, dhe t’i vihen në dispozicion publikut për t’u përdorur nën mbikëqyrjen e mjekëve e infermierëve të nderuar e liri-dashës.
Presidentja e zgjedhur e NCRI-së u bëri thirrje të gjithë mbështetësve të PMOI/MEK dhe Rezistencës Iraniane që t’i ndihmojnë dhe të kujdesen për personat që kanë marrë virusin, dhe të ndihmojnë për shpëtimin e jetës së bashkëatdhetarëve të tyre, duke marrë ndërkohë të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse për vete e duke përdorur gamën e plotë të burimeve mjekësore të disponueshme.
Znj. Rajavi i nxiti të gjithë iranianët që të përdorin çdo mjet të mundshëm për ta informuar publikun rreth Koronavirusit, dhe veçanërisht të raportojnë lidhur me emrat e të vdekurve dhe numrin e vdekjeve, në mënyrë që ta pengojnë konspiracionin e heshtjes së regjimit në këtë aspekt.
Ajo theksoi se Këshilli i Sigurimit i OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm, Këshilli i të Drejtave të Njeriut, Komisionerja e Lartë për të Drejtat e Njeriut, dhe organizata të tjera ndërkombëtare duhet ta dënojnë regjimin klerikal për krimin e fshehjes së vazhduar të fakteve lidhur me përhapjen e Koronavirusit në Iran, gjë që ka vënë në rrezik jetët e njerëzve në Iran e vende të tjera. Ajo u bëri gjithashtu thirrje këtyre organeve që të parandalojnë një katastrofë të madhe humanitare duke vepruar menjëherë për t’u shpëtuar jetën dhe shëndetin të burgosurve, veçanërisht të burgosurve politikë të cilët janë nën torturë dhe gjenden përballë ekzekutimit.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
7 mars 2020