Monday, February 6, 2023

Punëtorët e Iranit Përballen me Kushte të Vështira në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve

Shkruar nga Shamsi Saadati më 01 maj 2019.

Nga Shamsi Saadati

Kushtet e vështira të punës në Iran e bëjnë Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve më të rëndësishme se kurrë ndonjëherë. Shumica dërrmuese e punëtorëve në Iran punojnë në kushte që nuk përputhen me asnjë normë apo standart ndërkombëtar, ndërsa të drejtat e tyre më themelore shkelen sistematikisht.

Për më tepër, kriza e vazhduar ekonomike në Iran i ka vënë presionet e jashtëzakonshme direkt mbi kurrizin e punëtorëve, dhe shumë të punësuar nuk janë paguar për muaj të tërë, madje as për një vit.

Rrogat e mjerueshme mbulojnë vetëm 28% të nevojave bazë të punëtorëve (d.m.th. të strehimit, ushqimit, veshjes), sipas asistent drejtorit të Qendrës së Koordinimit për Këshillet Islamike të Punës në Azerbaixhanin Lindor, që do të thotë se shumë punëtorë detyrohen të marrin kredi me interesa të larta, të shesin organet, madje edhe t’i vënë zjarrin vetes për t’u shpëtuar problemeve të tmerrshme financiare.

Faramarz Tofighi, një zyrtar i regjimit, ka thënë se 80% e punëtorëve jetojnë përtej “kufirit të vdekjes”, që do të thotë se janë shtuar punëtorët që janë nën kufirin e varfërisë absolute dhe nuk mund të përballojnë as nevojat bazë si ushqimi. Me çmimet e të mirave që rriten dita ditës, disa njerëz detyrohen të përdorin metoda të dëshpëruara për të siguruar ushqim.

Për shkak të mungesës së ligjeve që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, të punësuarit e kanë të vështirë të gjejnë ndihmë, dhe kjo është arsyeja pse protestojnë e bëjnë greva për të drejtat e tyre.

Aktivisti i punës Abdollah Vatankhah ka thënë: “Ligjet nuk e mbrojnë klasën punëtore dhe qeveria refuzon të marrë përgjegjësinë dhe na ka braktisur… Politikat e tilla si privatizimi na e kanë shkatërruar jetën. Punëtorët janë braktisur. Veprime të tilla do të bëjnë që punëtorët ta ngrenë zërin e të protestojnë.”

Një problem tjetër është se shumë punëtorë nuk marrin sigurim shëndetësor nga punëdhënësit e tyre dhe edhe ata që marrin sigurim shëndetësor përballen me probleme të rënda shëndetësore pasi kompanitë iraniane të sigurimit shëndetësor refuzojnë të marrin përgjegjësinë.

Për shembull, Këshilli i Lartë i Sigurimit i ka përjashtuar rishtazi ilaçet e huaja të kemoterapisë nga sigurimi shëndetësor i Iranit, gjë që vë në rrezik jetën e atyre që nuk mund të paguajnë dot nga xhepi i vet për këto ilaçe. Kostoja e këtyre ilaçeve mund të jetë rreth dy herë e gjysëm më shumë se rrogat mesatare mujore në Iran.

Punëtorët iranianë e dinë se shtypja e tyre është pasojë direkte e sundimit të mullahëve, prandaj kur dalin në rrugë për të kërkuar rrogat e papaguara, thërrasin gjithashtu për marrjen fund të Regjimit. (Vetëm në 2018-ën, punëtorët zhvilluan mbi 1,865 protesta.) Ja pse Regjimi ka marrë masa të ashpra mbi protestuesit dhe ka arrestuar dhjetëra aktivistë të punës e unionistë të profesioneve, duke përfshirë:

  • Sekretarin e Bordit të Unionit të Punëtorëve të Lirë, Jafar Azimzadeh
  • Zëdhënësin e unionit të punëtorëve të fabrikës së sheqerit Haft Tapeh, Esmaeil Bakhshi
  • Mbrojtësit e të drejtave të mësuesve, Esmaeil Abdi, Mahmoud Beheshti Langarudi, Mohammad Habibi, Rouhollah Mardani, dhe Abdul Reza Qanbari