Friday, March 29, 2024

Punëtorët e Fabrikës Azarab në Iran Bien Viktimë e Korrupsionit të Regjimit

Shkruar nga Sedighe Shahrokhi më 29 tetor 2019.

Punëtorët e Fabrikës Azarab në provincën Arak e nisën raundin e ri të grevës së tyre më 6 tetor, duke protestuar për rrogat e vonuara, parregullsinë në menaxhimin e fabrikës dhe privatizimin e saj.

Fabrika Azarab dhe punëtorët e saj janë viktima të korrupsionit tashmë të institucionalizuar të regjimit iranian, dhe janë tani në një situatë të padurueshme; për këtë arsye, i kanë nisur protestat e grevat sërish. 

Seria e parë e protestave nisi në fillim të 2017-ës. Punëtorët e Azarab, të cilët nuk ishin paguar për tre muaj, zhvilluan tubime e marshime për të kërkuar të drejtat e tyre. Këto protesta vazhduan deri në qershor të 2017-ës dhe nisën përsëri në korrik 2017. Punëtorët kërkonin rrogat që nuk i kishin marrë për pesë muaj, por askush nuk iu përgjigj kërkesës së tyre.

Raundi tjetër i protestave të punëtorëve nisi në tetor 2017. Regjimi i Iranit arrestoi menaxherin e përgjithshëm të kompanisë për t’i heshtur punëtorët.

 

Azarab Industries është një super-fabrikë iraniane që merret me prodhimin e infrastrukturës industriale, rafinerive të naftës dhe gazit, komplekseve petrokimike, digave, fabrikave të çimentos, stacioneve të energjisë hidroelektrike, të gazit, termale dhe bërthamore, si dhe prodhon pajisjet e këtyre komplekseve.

Fabrika Azarab njihet si një nga kontraktuesit më të mëdhenj në Iran, madje edhe në Lindjen e Mesme. Ajo ka përfunduar shumë projekte, duke përfshirë stacionin e energjisë me cikël të kombinuar në Qom, stacionin e energjisë Shazand në Arak, sektorin e naftës në rafinerinë e Isfahanit, rafinerinë e gazit në Kangan dhe rafinerinë e kompleksit petrokimik në Arak.

Kjo fabrikë ka një rol shumë të rëndësishëm në zgjerimin e industrisë iraniane, e megjithatë tani është në prag të falimentimit absolut në sistemin e korruptuar të regjimit.

Regjimi iranian shtyp çdo lloj proteste a greve, sidomos ato që bëhen nga punëtorët, nga frika e përhapjes së protestave; kështu, forcat e sigurisë së regjimit i sulmojnë punëtorët grevistë dhe i arrestojnë ata që marrin pjesë në protesta.

Në shtator 2019 janë regjistruar rreth 284 protesta në 71 qytete dhe zona industriale në 28 provinca të Iranit, gjë që përbën një rritje në krahasim me muajin e mëparshëm.