Iran, 30 dhjetor 2018 – Të shtunën, familjarë dhe kolegë të punëtorëve të Grupit Kombëtar Industrial të Çelikut në Iran të arrestuar nga forcat e sigurisë, u grumbulluan përpara zyrës së guvernatorit të provincës Khuzestan dhe protestuan ndaj mbajtjes së vazhduar në burg të kolegëve e të dashurve të tyre. Protestuesit mbanin banderola ku shkruhej: “Punëtorët e burgosur duhet të lirohen” dhe “Punëtorët nuk e kanë vendin në burg.”
Në banderola shkruhej gjithashtu “Ekonomi rezistence, punëtorët në burg.” Ky slogan është një tallje ndaj ekonomisë së rezistencës, një term i shpikur nga Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i regjimit iranian, për strategjinë e tij të deklaruar për ta mbrojtur supozimisht popullin iranian nga sanksionet ndërkombëtare të vëna mbi regjimin e tij për veprimtaritë e tij të jashtëligjshme.
Sipas demonstruesve, pas 14 ditësh, autoritetet iraniane nuk i kanë përcaktuar ende dënimet dhe vendndodhjet e sakta të punëtorëve të arrestuar të Ahvazit.
Më 17 dhjetor, forcat iraniane të sigurisë mësynë shtëpitë e punëtorëve të çelikut në Ahvaz në mes të natës duke arrestuar dhjetëra prej tyre. Punëtorët e fabrikës së çelikut kanë zhvilluar greva e demonstrata për më shumë se një muaj në protestë ndaj rrogave të papaguara dhe politikave të korruptuara të pronarëve privatë të kompanisë.
Regjimi iranian i ka vënë prapa hekurave këta punëtorë për arsyen e vetme se janë ngritur për të drejtat e tyre bazë.
Protesta nga familjet e punëtorëve të arrestuar në Ahvaz
Protesta nga familjarët e punëtorëve të arrestuar në Ahvaz përpara zyrës së guvernatorit të Khuzestanit
INSIG është një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të produkteve të çelikut në Iran. Kjo fabrikë punëson mijëra punëtorë, dhe pa marrë rrogat, punëtorët nuk mund të sigurojnë jetesën e familjeve të tyre. Gjatë protestave dhe grevave të tyre, punëtorët e çelikut në Ahvaz kanë fituar respektin dhe mbështetjen e shumë komuniteteve në Iran e në botë.
Nga frika se protestat e vazhdueshme të punëtorëve në Ahvaz do të ndizmin greva e demonstrata të ngjashme në pjesë të tjera të Iranit, regjimi iranian u përpoq t’i shuajë protestat duke i shtypur e arrestuar punëtorët. Por meqë nuk u janë përmbushur kërkesat e tyre, është vetëm çështje kohe përpara se punëtorët e Ahvazit dhe mijëra punëtorët të tjerë nëpër Iran, të cilëve u janë mohuar të drejtat bazë, të dalin sërish nëpër rrugë për të sfiduar regjimin tiranik i cili është burimi i mjerimit të tyre.