Friday, March 29, 2024

Nipi i Khomeini-t: Nuk ka garanci për të ardhmen e regjimit iranian

 

Iran, 31 dhjetor 2018 – Hassan Khomeini, nip i themeluesit të regjimit iranian Ruhollah Khomeini, ka mbajtur një fjalim ditët e fundit ku paralajmëron për shembjen e plotë të aparatit të mullahëve.

“Nuk ka asnjë garanci që ne do të mbetemi e të tjerët do të ikin. Nëse nuk i ndjekim rregullat, ata do t’ju zëvendësojnë,” tha ai. “Duhet të ruhemi nga dita kur postet tona të ndryshohen dhe rolet të na transformohen krejtësisht.”

Vlen të përmendet se Faezeh Rafsanjani, vajza e ish-Presidentit të regjimit iranian, Ali Akbar Hashemi Rafsanjani, bëri gjithashtu disa komente befasuese në një fjalim të enjten më 27 dhjetor, në median shtetërore.

“Për mendimin tim, shembja ka ndodhur tashmë në përmbajtje. Vetëm në pamjen fizike nuk ka ndodhur shembja, dhe e shoh shumë të mundshme që do të ndodhë,” tha Rafsanjani, e cila është gjithashtu ish-anëtare e parlamentit të regjimit iranian.

Rafsanjani pranoi gjithashtu se, pavarësisht tensionit të lartë midis popullit dhe regjimit si dhe protestave të vazhdueshme të të gjitha shtresave në Iran, e vetmja përgjigje e regjimit ka qenë arrestimi dhe burgosja e protestuesve. “Aktualisht, po të shohësh në çdo fushë, disa nga aktivistët e asaj fushe janë në burg, duke përfshirë punëtorët, mësuesit, shoferët e kamionëve, aktivistët e të drejtave të grave dhe aktivistët e mjedisit, studentët dhe aktivistët ekonomikë,” tha Rafsanjani. “Por në përmbajtje, shembja ka ndodhur tashmë pasi kudo që sheh, sistemi nuk funksionon.”

“Kudo që sheh, mund të shohësh keqmenaxhim. Çdo gjë është braktisur, dhe askush nuk po mendon një zgjidhje për problemet. Dhe atje ku ka përpjekje për të zgjidhur problemet, ato vetëm sa përkeqësohen,” tha Rafsanjani.

Komentet e Rafsanjani-t erdhën në një kohë kur protestat kundër shqetësimeve ekonomike po zhvillohen në mbarë Iranin. Në Khuzestan, punëtorët e Kompanisë së Çelikut në Ahvaz dhe të kompanisë së kallam-sheqerit Haft Tapeh kanë mbajtur kohët e fundit greva e protesta për javë të tëra kundër kushteve të përkeqësuara të punës dhe rrogave të papaguara. Shoferët e kamionëve kanë zhvilluar pesë raunde grevash për arsye të ngjashme. Mësuesit, studentët, tregtarët, dhe shumë komunitete të tjera protestojnë rregullisht ndaj paaftësisë së regjimit në zgjidhjen e problemeve bazë të vendit.