Të dielën, më 30 dhjetor, studentë nga Universiteti i Shkencës dhe Kërkimit Azad në Teheran, protestuan për të dytën ditë rresht ndaj humbjes së 10 miqve të tyre në një aksident autobusi. Gjatë kësaj lëvizjeje, presidenti i universitetit ia mbathi në makinën e tij në vend që t’u përgjigjej studentëve.
Të shtunën, mijëra studentë zhvilluan gjithashtu një tubim për të njëjtën kauzë. Vjedhjet e stërmëdha dhe plaçkitja e aseteve të popullit nga udhëheqësit e regjimit të mullahëve e kanë bërë Iranin një nga vendet më të brishta përballë incidenteve si ato të trafikut, zjarret, tërmetet, e kështu me radhë.
Kreu i bordit të administratorëve të Universitetit Azad, Ali Akbar Velayati, është këshilltar i Khamenei-t dhe ish-ministër i jashtëm, dhe të gjitha punët e këtij universiteti kontrollohen nga zyra e Khamenei-t.
Demonstratat e këtyre dy ditëve u zhvilluan ndërkohë që forcat represive dhe mercenarët me veshje civile përpara universitetit, si dhe agjentë të Ministrisë së Inteligjencës të quajtur “Herasat” e agjentë Basij brenda universitetit përpiqeshin t’i parandalonin protestat.
Studentët thërrisnin: Studentët më mirë vdesin sesa të tolerojnë poshtërimin; Velayati, Velayati, ti je përgjegjës për këtë krim; person i paaftë në detyrë, jep dorëheqjen, dorëheqjen! Personi i paaftë në detyrë duhet të gjykohet! Studentët thërrisnin përpara administratës së universitetit: “Ti, vrasës i paturp, dil jashtë!” Sapo nisi demonstrata, agjentët e shtypjes nuk i lejuan studentët të hyjnë në universitet për të parandaluar përhapjen e protestave dhe demonstratave. Një numër studentësh bllokuan lëvizjen e autobusëve dhe makinave brenda universitetit duke u ulur në rrugë.
Në tubimet dhe demonstratat e tyre, studentët protestuan kundër hileve të regjimit për ta mbuluar shkallën e kësaj tragjedie duke përjashtuar elementë të rangjeve të ulëta për të shpëtuar individët kryesorë përgjegjës për krimin. Ata ndërprenë gjithashtu fjalimin e agjentëve të regjimit duke i tallur e duke thirrur: “Kthejmë shpinën nga armiku, fytyrën nga atdheu.”
Duke shprehur ngushëllime të sinqerta për studentët që humbën jetën dhe duke uruar shërim të shpejtë për të plagosurit, Rezistenca Iraniane thekson faktin se fashizmi fetar që sundon Iranin është pala që ka përgjegjësinë kryesore për këtë tragjedi. Për shkak të plaçkitjeve e shpenzimeve të stërmëdha për shtypje e terrorizëm, ky regjim ka shkaktuar numrin më të madh të viktimave në incidente të tilla.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
30 Dhjetor 2018