Sunday, February 5, 2023

Prokurori i përgjithshëm i regjimit iranian thekson vazhdimin e prerjes së duarve e këmbëve

 

Në disa komente tronditëse, prokurori i përgjithshëm i regjimit iranian, Mohammad Jaffar Montazeri, vuri në dukje se të drejtat njerëzore nuk kanë vend në Republikën Islamike dhe  theksoi nevojën për të vazhduar me rregullat e vjetëruara që mullahët kanë vendosur mbi popullin iranian nën emrin e Islamit dhe të Zotit.

Këto rregulla përfshijnë ndëshkimet si nxjerrja e syve dhe prerja e duarve e këmbëve.

Montazeri tha, “Ekzekutimi i hudud (ndëshkime fetare) nuk mund të ndalet. Nuk mund t’u dorëzohemi presioneve të ushtruara nga ata që pretendojnë në mënyrë të rreme se mbrojnë të drejtat e njeriut dhe t’i japim fund hudud-it.

Çfarë Montazeri nënkupton me ndëshkimin fetar janë ndëshkime të tilla si gjuajtja e njerëzve me gurë deri në vdekje, goditja me kamzhik në publik dhe nxjerrja e syve apo prerja e gjymtyrëve për shkak të shpërfilljes së atyre që mullahët i konsiderojnë “kufij fetarë.” Implementimi i hudud-it në Iran që kur mullahët morën pushtetin ka qenë burim i zemërimit dhe debateve në Iran e në botë.

Më 16 janar, Montazeri shprehu shqetësimin e tij për faktin se komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar përdorimin nga regjimi i tij të mekanizmave të ndëshkimit të dhunshëm. “Një nga gabimet tona ka qenë  se e kemi lejuar veten të ndikohemi nga kritikat lidhur me të drejtat njerëzore se po tregohemi shumë të rreptë me hajdutët,” tha Montazeri.

Konventa ndërkombëtare mbi te Drejtat Civile dhe Politike ndalon qartësisht çdo formë ndëshkimi çnjerëzor kundër kriminelëve dhe njerëzve që shkelin ligjet. Për regjimin iranian, tortura dhe ndëshkimet e dhunshme janë një nga shtyllat kryesore të sundimit të tyre dhe mjeti që ata përdorin për të mbajtur pushtetin.

Në shumë raste, autoritetet e regjimit iranian kanë përdorur akuza të paqarta e të fabrikuara të hudud-it në mënyrë që të ndiqnin penalisht, të ndëshkonin e të ekzekutonin disidentët politikë.

Në 40 vitet e shkuara, regjimi iranian është dënuar 65 herë për shkeljet e të drejtave njerëzore dhe për rregullat e dhunshme gjyqësore.

Në nëntor, komiteti i tretë i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së përpiloi dhe miratoi një rezolutë që dënonte regjimin iranian për shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut.

Kjo rezolutë shprehte shqetësim për mospërfilljen e vazhdueshme të regjimit iranian për normat ndërkombëtare gjyqësore dhe të të drejtave të njeriut.

Kjo rezolutë e OKB-së shprehte gjithashtu shqetësim për “shpeshtësinë alarmuese” të përdorimit të dënimit me vdekje në Iran, sidomos kundër minorenëve, “përdorimin e gjerë e sistematik të burgosjes arbitrare,” kushtet e këqija të burgjeve duke përfshirë “mohimin e qëllimshëm të trajtimit të duhur mjekësor për të burgosurit,” dhe “rastet e vdekjeve të dyshimta në burg.”