Shkruar nga Hamideh Taati .
Prokurori i Përgjithshëm i regjimit iranian e ka shpërfillur një video të brutalitetit të policisë të publikuar në mediat sociale muajin e shkuar, ku tregohet një agjent i policisë me veshje civile duke arrestuar në mënyrë brutale një vajzë të re për sjellje të ashtu-quajtur “të pamoralshme” në Tehranpars, Teheran.
Mohammad Jafar Montazeri tha: “Drejtësia mbështet një forcë të fuqishme policore [dhe] Drejtësia nuk i kushton vëmendje këtij lloji propagande e gjullurdie.”
Më pas, sipas Agjensisë shtetërore të Lajmeve Mehr, ai nxiti policinë dhe forcat e sigurisë që të vazhdojnë të merren me ato që ai i quan “abnormalitete shoqërore” në çfarëdo mënyre që t’u duket e përshtatshme, duke thënë se Drejtësia e ka për detyrë t’i japë leje policisë kurdo që t’i nevojitet.
Ai tha: “Presim që policia të merret me abnormalitetet e çdo lloji. Nuk mund ta sakrifikojmë sigurinë morale dhe shoqërore për shkak të gjërave që thuhen apo bëhen nga elementë keqdashës në internet.”
Montazeri më pas pretendoi se videot ku tregohet brutaliteti i policisë në Iran janë “të para-përgatitura.”
Ai tha: “Shkelësit e normave e dinë që nëse duan ta dëmtojnë imazhin e policisë në mënyrë të tillë duke prodhuar e publikuar video të para-përgatitura në internet, populli dhe drejtësia nuk do ta pranojnë këtë.”
Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë donte të thoshte me këtë. Videot nuk janë të sajuara, të fallsifikuara apo të planifikuara paraprakisht pasi asnjë polic nuk do ta pranonte një gjë të tillë. Dhe e dimë se në këtë video tregohen policë të vërtetë pasi dy agjentët përgjegjës për këtë sulm të dhunshëm janë “arrestuar e shkarkuar” në fillim. Qendra e Informacionit e Policisë në Teheranin e Madh shpalli më vonë se urdhërat për arrestimin dhe shkarkimin e këtyre oficerëve ishin pezulluar, në pritje të hetimeve të mëtejshme.
Gjithashtu, videot nuk duket se janë modifikuar në asnjë mënyrë dhe kanë dalë online aq shpejt saqë do të kishte qenë pothuajse e pamundur të modifikoheshin. Kjo duket vërtet si një përpjekje e regjimit për të hedhur dyshime mbi këtë histori, por pa patur një shpjegim të besueshëm.
Në video, një oficer policie me veshje civile mund të shihet duke e tërhequr për flokësh një vajzë të re para se ta hidhte në një makinë policie. Njerëz të tjerë në zonë, kryesisht vajza të reja, mund të dëgjohen tek bërtasin e i thërrasin policisë që ta “lënë rehat” vajzën.
Krimi i saj? Ajo po luante me ujë me shoqet e saj në Parkun Tehranpars, gjë që sipas regjimit, shkel ligjet e ashtu-quajtura të “moralitetit”.
Kjo nuk është aspak hera e parë që brutaliteti i policisë kapet në kamera në Iran.