Friday, March 29, 2024

E Vërteta për të Burgosurit Politikë në Iran

 

Më 1 korrik 2019, Gholam-Hossain Esmaili, zëdhënës për drejtësinë e regjimit iranian, tha në një intervistë televizive, “Ne nuk kemi të burgosur politikë.”

Esmaili i quajti të burgosurit aktualë politikë si “terroristë që janë kundër regjimit iranian në tërësinë e tij.”

“Ata që i kundërvihen Republikës Islamike janë ose terroristë, ose spiunë të shërbimeve të huaja të inteligjencës, kështu që nuk konsiderohen si të burgosur politikë,” tha ai.

Ndërkohë, Ali Motahari, një anëtar i Majlis (Parlamentit) të regjimit, tha të martën më 2 korrik, në një intervistë me gazetën shtetërore Etemad, “Në Iran, kemi si kundërshtarë politikë, ashtu edhe të burgosur politikë.”

Motahari tha se institucionet gjyqësore, të sigurisë dhe të inteligjencës përdorin termin “kriminel i sigurisë” për kundërshtarët dhe kritikët e regjimit në mënyrë që t’i klasifikojnë ata si rrezik sigurie dhe të mos i nënshtrojnë ndaj rregullave të krimeve politike.

Kjo nuk është hera e parë që drejtësia e regjimit iranian e mohon praninë e të burgosurve politikë në Iran. Më parë, në janar 2019, ish-kryegjyqtari i regjimit, Sadeq Larijani, pati thënë, “Kur dikush ndërmerr një veprim kundër sigurisë [kombëtare], ky veprim është krim dhe duhet të ketë një proces të ndryshëm.”

Pas revolucionit të 1979-ës, Ruhollah Khomeini, themeluesi i regjimit të mullahëve, tha, “Nuk do të kemi të burgosur politikë.” Ndoshta ai e kishte fjalën në të vërtetë se do ta pastronte vendin nga të burgosurit politikë, siç u përpoq të bënte verën e 1988-ës, kur dha urdhër për masakrimin e 30,000 të burgosurve politikë, shumica mbështetës të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Është llogaritur se 120,000 të burgosur politikë janë ekzekutuar nga regjimi i mullahëve, shumica e këtyre të burgosurve anëtarë e mbështetës të MEK. MEK ka publikuar një libër për këta martirë, ku jepen emrat dhe fotografitë e rreth 20,000 prej aktivistëve të ekzekutuar nga regjimi.