Nga Shahriar Kia
Presidenti iranian Hassan Rouhani sugjeroi të martën më 1 janar që për të zgjidhur krizën e ujit që ka pllakosur Iranin, duhet të marrin me qira toka nga vende të tjera ku ka ujë me bollëk dhe të fillojnë të kultivojnë atje.
Ai tha: “Për disa fruta dhe perime, apo produkte të tjera bujqësore, a është më mirë t’i prodhojmë brenda vendit apo ta transferojmë prodhimin përtej kufijve? Le të marrim me qira toka nga një vend tjetër. Ndoshta atje ka ujë me bollëk. Do të kushtonte më lirë.”
Në vijim, ai tha se Regjimi nuk duhet ta lërë krizën e ujit “ta bezdisë” popullin iranian, por mullahët duhet të kërkojnë ndihmën e ministrisë së arsimit dhe mësuesve për të kursyer ujë.
Këto komente të çuditshme u bënë gjatë një mbledhjeje me autoritetet e ministrisë së energjisë, të cilën Rouhani e zhvilloi pasi kishte marrë kritika nga zyrtarë iranianë e figura pranë Regjimit për paaftësinë e qeverisë së tij në zgjidhjen e krizës.
Rouhani ka thënë më përpara se Regjimi Iranian mundet dhe do ta zgjidhë krizën që po ndikon në të gjitha provincat e vendit, duke vënë në dukje se “uji është një çështje e rëndësishme”, dhe u ka thënë anëtarëve të parlamentit iranian se duhet ta lejojnë Regjimin që të marrë “masat e nevojshme” për të zgjidhur krizën. Kjo gjë i ka zemëruar shumë deputetë pasi keqmenaxhimi i burimeve ujore nga ana e regjimit vetëm sa e ka përkeqësuar krizën.
Në fakt, Regjimi është përpjekur ta zgjidhë krizën e ujit në një shumëllojshmëri mënyrash qesharake, asnjëra prej të cilave nuk ka nxjerrë gjë në dritë.
Kanë transferuar ujë nga Isfahani në Yazd për të zgjidhur krizën e ujit në këtë të fundit, gjë që ka prishur ekosistemin e Isfahanit dhe i ka bërë fermerët atje të dalin në protestë për shkak se nuk u mjafton uji për kultivim. Sugjerimi më i fundit i Regjimit është të transferojnë ujë nga Khuzestani, provincë e cila po vuan nga projektet e tepruara të Regjimit për krijimin e digave, në Isfahan. Nëse mund t’i shihni problemet që kjo do të sillte, Rouhani ka një tjetër zgjidhje: të transferojë ujë nga Deti Kaspik.
Kështu që deputetët, nga frika e protestave në provincat e tyre, po i kritikojnë planet irracionale të Rouhani-t. Edhe zëvendës-presidenti Eshaq Jahangiri madje ka thënë se sugjerimet e Rouhani-t nuk kanë asnjë mbështetje ekzekutive.
Është e qartë se Irani nuk ka plane reale për të zgjidhur krizën e ujit dhe se sa kohë që regjimi të mbetet në krye të detyrës, populli i Iranit do të vazhdojë të vuajë. Njerëzit nuk do të munden të pinë ujë, të rrisin fruta e perime, apo as të mbijetojnë. Në mënyrë që populli i Iranit të jetojë, Regjimi duhet të vdesë.