Peshkatarët e Iranit Protestojnë Kundër Anijeve Kineze të Peshkimit

335

Nga Shahriar Kia

Peshkatarët vendas në qytetin Chabahar të Iranit jug-lindor, zhvilluan një tubim të enjten për të protestuar kundër anijeve peshkuese kineze në zonën prej 12 miljesh të bregdetit.

Agjensia gjysmë-zyrtare e lajmeve ILNA shkruan, “Një grup peshkatarësh nga provinca Sistan dhe Baluchistan protestuan kundër hyrjes së anijeve peshkuese kineze në ujërat që përdoren nga barkat e vogla të peshkimit dhe anijet më të mëdha të vendasve.”

Raportet tregojnë se anijet e huaja të peshkimit në ujërat e Chabaharit e kanë shkatërruar krejt industrinë vendase të peshkimit. Vendasit kërkojnë që këto anije peshkimi të konfiskohen.

Regjimi iranina ka lidhje shumë të ngushta me Kinën, dhe shumë iranianë besojnë se mullahët i kanë shitur ujërat e tyre jugore për t’ua lejuar anijeve kineze të peshkimit ta plaçkisin pasurinë e kombit iranian.

Kryetari i Majlis (parlamentit) të regjimit iranian udhëtoi për në Kinë në shkurt dhe vlerësoi shtimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

Fakti që zyrtarët iranianë u janë drejtuar Kinës dhe Rusisë është shenjë e qartë që regjimi iranian është i zhgënjyer nga Europa.

Udhëheqësi Suprem i regjimit Ali Khamenei ka thënë më parë se Europa nuk do ta ndihmojë regjimin iranian për t’i anashkaluar sanksionet amerikane, dhe i këshilloi zyrtarët iranianë që të “Shikojnë nga lindja”.

Duke iu referuar mekanizmit financiar të Europës dhe treshes europiane që ka firmosur paktin bërthamor, Khamenei tha: “Unë nuk u besoj këtyre tre vendeve dhe ju them që të mos u besoni. Nëse doni të firmosni një marrëveshje, merrni garanci të vërteta dhe funksionale, përndryshe nesër ata do t’jua bëjnë në një mënyrë tjetër atë që SHBA po jua bën sot.”

“Ndonjëherë, ata [treshja europiane] ia fusin thikën në kraharor kundërshtarit duke buzëqeshur dhe me komplimente formale që e dimë se s’do ta prishni marrëveshjen, ndjekin qëllimet e veta,” tha ai më tej.

Pavarësisht bujës së Khamenei-t rreth politikës së drejtimit për nga lindja dhe vizitës së Larijani-t në Kinë, fakti është që kjo politikë është një tentativë e pavlerë nga ana e një regjimi që ndihet gjithnjë e më i dëshpëruar nën presionin politik dhe ekonomik, si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë vendit.

Tregtitë kineze dhe ruse me SHBA-në janë shumë më të mëdha sesa transaksionet e tyre me regjimin iranian, dhe vrojtuesit besojnë se ka shumë pak mundësi që kinezët dhe rusët të jenë të gatshëm ta sakrifikojnë këtë për të ndihmuar Teheranin.