Saturday, January 28, 2023

Perspektivat për Ndryshim në Iran Diskutohen në Mbledhjen e Senatit të SHBA-së

Në një seancë të mbajtur në Sallën John F. Kennedy të Senatit amerikan, senatorë të lartë nga të dyja partitë, së bashku me personalitete të spikatura politike dhe ish-zyrtarë amerikanë u mblodhën për të diskutuar mbi të drejtat njerëzore dhe demokracinë në Iran.

Ndërsa Nowruz-i afrohet, natyra e kryengritjes iraniane e cila ka vazhduar gjatë 15 muajve të shkuar, perspektivat e ndryshimit në Iran, nevoja për të ofruar një mbështetje dypartiake për koalicionin e opozitës iraniane, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe për planin me dhjetë pika të paraqitur nga Presidentja e NCRI-së Maryam Rajavi ishin në fokus të takimit. Gjithashtu, u shqyrtuan komplote të ndryshme terroriste dhe fushata denigruese kundër grupit opozitar iranian, Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Një anëtare e komiteteve të Punëve të Jashtme, Forcave të Armatosura dhe Buxhetit, Senatorja Jeanne Shaheen, së bashku me kreun e Nënkomitetit për Konstruksionin Ushtarak, Veteranët, dhe Agjensitë Përkatëse, John Boozman, mbrojtën objektivat e popullit iranian lidhur me luftën e tij për liri.

Ish Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Gjenerali James Jones, dhe Senatori Joseph Lieberman, ish kandidat për zëvendës president, si dhe Guvernatori Tom Ridge, ish Sekretar i Sigurisë së Atdheut, dhe Ambasadori Lincoln Bloomfield, ish drejtor i Byrosë së Punëve Politike-Ushtarake në Departamentin e Shtetit, morën pjesë në mbledhje, dhe dhanë mbështetjen e tyre për Planin me Dhjetë Pika të znj. Rajavi. Në fjalimet e tyre, ata e përshkruan këtë platformë si një agjendë të qartë për të ardhmen e Iranit, dhe NCRI-në si alternativën demokratike ndaj regjimit.

Pjesëmarrësit e tjerë përfshinin përfaqësues të misioneve diplomatike në Uashington, ekspertë të punëve të Lindjes së Mesme, anëtarë të think-tank-eve, dhe reporterë të mediave.

Senatorja Shaheen uroi popullin iranian për Nowruz-in, dhe theksoi mbështetjen për luftën e tyre për një bashkëjetesë paqësore me kombet e tjera.

Senatori Boozman diskutoi mbështetjen e gjerë për Rezistencën Iraniane, dhe bëri thirrje për t’i qëndruar përkrah popullit iranian në përpjekjen e tij.

Gjenerali James Jones foli rreth luftënxitjes së regjimit, dhe përshkroi komplotet terroriste të Teheranit kundër opozitës iraniane. Ai shpjegoi gjithashtu rëndësinë e emërimit nga Lideri Suprem të Ebrahim Raisi-t, i cili dihet se ka qenë anëtar i “Komisionit të Vdekjes”, si Kryegjyqtar i ri. Raisi ka luajtur një rol kryesor në masakrën e 1988-ës ku u vranë mbi 30,000 të burgosur politikë, shumica anëtarë e mbështetës të PMOI/MEK. Gjenerali Jones tha gjithashtu se protestat po vazhdojnë në një mënyrë shumë të organizuar me qëllimin e qartë për ta çliruar Iranin. Ai shprehu gjithashtu mbështetjen e tij për planin me dhjetë pika të znj. Rajavi për të ardhmen e Iranit.

Sipas Senatorit Joseph Lieberman, regjimi në Iran është në shkatërrim e sipër dhe populli iranian është i guximshëm në protestat e tij kundër regjimit. Ai tha se sanksionet amerikane kanë ndihmuar në përhapjen e shkatërrimit, dhe bëri thirrje për mbështetje ndaj NCRI-së. Senatori i spikatur tha se NCRI, e udhëhequr nga znj. Rajavi, është gati për ta zëvendësuar regjimin, dhe plani i saj me dhjetë pika është një platformë që meriton mbështetje.

Ambasadori Bloomfield tregoi mënyrën se si ishte njohur me PMOI/MEK dhe bëri thirrje për hetime anti-spiunazh kundër regjimit dhe veprimtarive të tij në SHBA.

Guvernatori Ridge u tha të pranishëmve pse ai e mbështet NCRI-në dhe PMOI/MEK-un, dhe theksoi karakteristikat e fashizmit fetar që sundon Iranin. “Kemi vendosur të bëjmë ç’të mundemi për të mbështetur publikisht znj. Rajavi dhe NCRI-në,” tha ai — duke shtuar se ndryshimi do të vijë.