- Në Përgjigje ndaj Rouhani-t, Hook Thotë se Populli Iranian Do Vende Pune
Brian Hook, Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Iranin, i është përgjigjur Presidentit të Iranit, Hassan Rouhani, i cili i ka thënë popullit iranian që “t’i mallkojnë” ata që kanë shkaktuar krizën aktuale ekonomike në Iran.
Në një postim në gjuhën perse në Twitter, Hook tha: “Si përgjigje ndaj ekonomisë së paralizuar, Rouhani i ka kërkuar popullit iranian të mallkojë Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Arabinë Saudite! Duke iu drejtuar mallkimeve e magjive, ai kërkon të fajësojë të tjerët për problemet e tij ekonomike.”
: “Rouhani u ka kërkuar iranianëve të ‘lëshojnë gjithë mallkimet e tyre’ mbi SHBA-në, Izraelin dhe Arabinë Saudite si përgjigje ndaj ekonomisë së rrënuar. Duke iu drejtuar mallkimeve e magjive, ai ia largon vetes fajin për problemet që ka shkaktuar vetë. Iranianët janë të interesuar për vende pune, jo për mallkime.”
- Regjimi Iranian Aludon se do të Përdorë Militantë të Huaj për të Shtypur Kryengritjet
Një klerik iranian me ndikim të madh ka thënë se Irani mund të sjellë në vend militantë Shiite nga pjesë të tjera të Lindjes së Mesme për të luftuar kundër kërcënimeve ndaj qeverisë.
Musa Ghazanfarabadi, kryetar i Gjykatave të Revolucionit Islamik në Teheran, tha duke iu drejtuar studentëve fetarë në Qom këtë muaj se qeveria e tij mund të përdorë luftëtarë të huaj për të shtypur kryengritjet popullore të mundshme në Iran.
Ghazanfarabadi po i referohej militantëve Shiitë nga Iraku, Afganistani, Pakistani dhe Jemeni, të cilët janë formuar nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit.
Komentet e Ghazanfarabadi-t kanë shkaktuar reagime negative brenda dhe jashtë Iranit.
- Vendimi Zyrtar Kundër Nasrin Sotoudeh
Autoritetet iraniane kanë publikuar dhe konfirmuar verdiktin më të fundit kundër avokates dhe aktivistes së të drejtave të njeriut, Nasrin Sotoudeh.
Verdikti zyrtar deklaron se ajo do të vuajë një dënim prej 26 vitesh dhe 148 goditjesh me kamxhik në total. Ky dënim i është shtuar pesë viteve që i janë dhënë më përpara për spiunazh. Ky është vendimi i dytë që jepet kundër saj.
“Ajo ka thënë se nuk do të donte të apelonte, dhe arsyeja është se procesi gjyqësor është i padrejtë dhe protesta të tilla nuk do të japin rezultat,” tha bashkëshorti i Sotoudeh, Reza Khandan, për Agence France Presse në një intervistë me telefon. “Ajo nuk dëshiron të ndërmarrë asnjë veprim gjyqësor ngaqë nuk është dakord me procesin gjyqësor. Nuk do të bëhet asgjë në këtë aspekt.”
- 600 njerëz helmohen nga mishi i ngrirë i prishur
Gjatë dy ditëve të fundit, numri i njerëzve të helmuar në qytetin Ghorveh të Kurdistanit lindor, ka arritur në 600, sipas gazetave lokale.
Pas shqyrtimit të pacientëve, mjekët në Spitalin e Ghorveh konfirmuan se të gjithë janë helmuar nga konsumimi i mishit të ngrirë.