Organizata Meteorologjike e Iranit (IMRO) ka paralajmëruar për erëra të forta dhe stuhi në dy ditët e ardhshme pasi një stuhi e re arriti në Iranin perëndimor të dielën.
Meteorologët kanë paralajmëruar njëmbëdhjetë provinca që të presin stuhi të forta shiu, erëra të fuqishme, dalje të lumenjve nga shtrati, dhe përmbytje, ndërsa banorët në Iranin qendror, Yazd, Isfahan, Qom, Fars verior dhe në rajonin e Teheranit janë paralajmëruar për erëra me intensitet stuhie.
Në Khuzestan, shqetësimi më i madh është Diga Karkheh, ku autoritetet kanë vendosur të hapin portat e emergjencës për të parandaluar tejmbushjen. Por kjo gjë ka bërë që fshatrat e qytetet që ndodhen në rrugën e vërshimit të ujit të përmbyten dhe zona u detyrua të evakuohej.
Javad Kazem Nasabalbaji, një anëtar i parlamentit të regjimit, tha: “Hënës së Kuqe në Khuzestan i mungojnë materialet e duhura për t’u ofruar ndihmë zonave të prekura. Ka shqetësime për mundësinë e humbjes së jetës së njerëzve nga përmbytjet në këtë provincë.”
Në Lorestan, raportohet të kenë vdekur edhe pesë njerëz të tjerë, dhe ujërat kanë përmbytur Noorabad-in dhe Dorood-in, ndërsa një digë e afërt është mbushur pothuajse plot. Zëvendës Guvernatori i Lorestanit ka thënë se duhet të evakuohen të paktën 25,000 njerëz. Ndërsa në Kermanshah, është nxjerrë një paralajmërim evakuimi për 19,000 njerëz që jetojnë pranë lumenjve, sipas Jalil Balaee, drejtor i përgjithshëm i menaxhimit të fatkeqësive natyrore.
Irani është rrahur nga përmbytjet që nga mesi i muajit të shkuar dhe Regjimi raporton se deri tani kanë vdekur 45 njerëz, pavarësisht se shifrat e marra nga vetë njerëzit shkojnë deri në më shumë se 200.
Një nga problemet më të mëdha është se ka patur mungesë komunikimi e koordinimi në menaxhimin e kësaj fatkeqësie.
Në Ahvaz, mediat e kontrolluara nga qeveria kanë raportuar se duhet të evakuohen disa zona të qytetit, por guvernatori i ka mohuar këto raporte dhe ekzistencën e ndonjë rreziku për qytetin. Ndërsa një zyrtar i shëndetit në Khuzestan ka thënë se uji i pijshëm mund të jetë i ndotur me ujëra të zeza, por drejtori i përgjithshëm i departamentit të ujit tha: “gjërat i kemi nën kontroll”.
Këto mosmarrëveshje janë të dukshme edhe në nivelet më të larta, ku Presidenti Hassan Rouhani dhe Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) debatojnë se si ta heqin ujin e përmbytjeve në provincat Golestan dhe Khuzestan. Garda po përdor eksplozivë, gjë që mundet më shumë të shkaktojë dëme sesa të bëjë mirë.
Si përfundim, autoritetet në çdo nivel janë të papërgatitur për ta menaxhuar këtë fatkeqësi natyrore, pa planin e buxhetin e duhur për të ofruar ndihmë. Kjo është arsyeja pse shumë iranianë po detyrohen të ndërhyjnë vetë për të shpëtuar miqtë e fqinjët ose për të dërguar ushqim e ilaçe tek bashkëqytetarët e tyre.