Maryam Rajavi Bën Thirrje për Përpjekje të Pavarura Shpëtimi për Viktimat e Përmbytjeve në Iran

348

 

Përmbytjet shkatërrimtare kanë prekur edhe një herë shumë zona të Iranit, sidomos provincat Khouzestan, Lorestan dhe Ilam, duke zhytur nën ujë dhjetra qytete e qindra fshatra. Mullahët kriminelë e të korruptuar nuk kanë marrë as masat më të vogla për t’u përballur me impaktin katastrofik të përmbytjeve, pavarësisht parashikimeve se do të kishte shira të dendur në këto rajone.

Njerëzit në shumë qytete e fshatra janë detyruar të arratiseshin nga shtëpitë e tyre pa patur strehime të përkohshme të përgatitura nga regjimi për numrin e madh të viktimave.

Kreu i regjimit, Khamenei, ka heshtur lidhur me përmbytjet shkatërrimtare dhe pasojat e tyre katastrofike, ndërsa autoritete të tjera si Larijani dhe Rohani, si dhe anëtarë të kabinetit e komandantë të IRGC-së ushqejnë zemërimin publik duke e trajtuar këtë fatkeqësi si një mundësi për t’u fotografuar duke vizituar rajonet e prekura nga përmbytjet.

Një deputet nga Ahwaz, Javad Khazem-Nasab, e quajti vizitën e Rouhani-t në Khouzestan të pafrytshme, duke thënë se qeveria ka dërguar “kryesisht makineri të vjetra e me defekte” në Khouzestan, duke shtuar se “mungesa e pastrimit të shtratit të ujërave dhe e menaxhimit të tyre” i ka shkaktuar këto përmbytje.

Situata në rajonet veriore të Iranit, në provincën Golestan dhe në qytete si Agh-Ghola e Gomishan mbetet kritike, pavarësisht se kanë kaluar dy javë që nga fillimi i përmbytjeve në këto rajone. Regjimi nuk ka marrë as masat më minimale për të zgjidhur problemet e rezultuara nga përmbytja dhe viktimat mund të mbështeten vetëm në aksionin popullor për shpëtim.

Znj. Rajavi i bëri thirrje përsëri kombit iranian, sidomos të rinjve, që të formojnë këshille popullore për aksion të pavarur për të ndihmuar viktimat e përmbytjes, sidomos në Khouzestan, Lorestan dhe Ilam. Ajo vuri në dukje se, meqë mullahët nuk shqetësohen për asgjë përveç ruajtjes së pushtetit të tyre të turpshëm dhe plaçkitjes së kombit, e vetmja mënyrë për t’u përballur me pasojat e përmbytjeve është solidariteti kombëtar.

Ajo shtoi se mullahët janë përgjegjës për faktin që e kanë lënë të pambrojtur vendin përballë fatkeqësive natyrore duke e shkatërruar mjedisin me shpyllëzime të pandreqshme, vjedhje të shumave të mëdha, dhe shpërdorim të burimeve të Iranit për qëllime represioni, terrorizmi dhe luftënxitjeje, dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi për miliona refugjatët dhe viktimat e panumërta të shkaktuara nga përmbytjet e fundit.

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
1 prill 2019